Hetimi për fondin e fshehur për lobim në SHBA, Ristani paraqitet në prokurori

TIRANË, 18 qershor/ATSH/- Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani u paraqit sot në Prokurorinë e Tiranës për çështjen e lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ristani u paraqit sot në kuadër të thirrjes që organi i akuzës ka lëshuar në drejtim të kreut të PD, Lulzim Basha, ish-deputetit Arben Ristani dhe ekonomistit Ilir Dervishi.

“Akuza sipas Prokurorisë është pastrim parash dhe falsifikim dokumentacioni, por po jua them edhe një herë, është akuzë e organizuar dhe e nxitur politikisht, sepse unë si ish-Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike nuk kam asnjë dokument që të ketë të bëjë me dhënie apo marrje financash me çdo lloj organi qoftë brenda vendit, qoftë jashtë vendit me individë qoftë brenda, qoftë jashtë vendit”, theksoi Ristani pas daljes nga Prokuroria.

“Nuk ka një dokumentacion që unë të jem marrë me financa, me dhënie-marrje pagesash. Së dyti nuk kam asnjë bisedë formale ose joformale me askënd, qoftë brenda vendit, qoftë jashtë vendit që të ketë të bëjë me dhënie apo marrje pagesash. Dhe së treti nuk kam pasur as kuriozitet që të di për këtë gjë dhe nuk kam pasur asnjë lloj dijenie. Duke qenë kështu mund t’ju konfirmoj me plot gojën, se akuza është e nxitur dhe e organizuar politikisht”, theksoi Ristani.

Kreu i PD, Lulzim Basha është thirrur në prokurori në kuadër të një hetimi të nisur nga organi i akuzës së kryeqytetit për fshehjen një financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Prokuroria njofton se po kryen hetime në funksion të procedimit penal me nr. 645 të vitit 2018. Në lidhje me këtë procedim penal janë kryer veprimet e nevojshme hetimore nga e cila kanë rezultuar elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 190/3 dhe 287/ç të Kodit Penal, të kryera nga shtetasit Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.

Lulzim Basha dëshmoi në 25 mars në Prokurorinë e Tiranës për rreth një orë për lobimin në SHBA. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.