Sipërmarrjet e huaja, Tirana kryeson me numrin më të lartë me mbi 4 mijë biznese

TIRANË, 17 qershor /ATSH/- Investimet e huaja direkte janë në rritje edhe në muajt e parë këtij viti. Banka e Shqipërisë, bën të ditur se për tremujorin e parë 2019 investimet e huaja arritën vlerën 286 milionë euro, me një rritje prej 5 milionë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa bizneset e huaja kanë zgjedhur të shtrijnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, Tirana është destinacioni më tërheqës, ku shënohet dhe numri më i lartë sipërmarrjeve të huaja.

Të dhënat e Bashkisë së Tiranës tregojnë se në fund të vitit 2018 nga rreth 6259 subjekte me pronësi të huaj apo të përbashkët që funksionojnë në të gjithë vendin, 4185 prej tyre janë të vendosura në kryeqytet.

Përqendrimi në rritje i tyre në këto 6 vitet e fundit, në kryeqytet nuk është rastësor, pasi numri i lartë i popullsisë, i shërbimeve, konsumit apo dhe afërsisë me portet e aeroportin apo institucionet publike janë disa nga arsyet kryesore që i bëjnë të huajt të tërhiqen më së shumti.

Ndërkohë që përmirësimi i klimës së biznesit dhe lehtësitë fiskale mbeten burim i “thithjes” së tyre në vendin tonë. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.