Kreditë me probleme shënuan nivelin 11,46 % në fund të muajit prill 2019

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ – Treguesi i kredive me probleme në fund të muajit prill 2019, shënoi nivelin 11,46% të totalit të huasë që është dhënë nga bankat për bizneset, individët etj.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, përgjatë gjithë vitit 2018, sistemi bankar regjistroi një rënie të nivelit të kredive me probleme.

Banka e Shqipërisë vlerësoi se rënia e kredive me probleme, krahas përmirësimit të aktivitetit ekonomik, pasqyron edhe angazhimin e bankave në përmbushje të planit të masave për të ulur kreditë me probleme.

Në dhjetor të vitit 2018, kreditë me probleme shënuan 11,08% të totalit të huave që ishin me vonesë më shumë sesa 3 muaj, nga 13,28% që ishin në dhjetor 2017.

Ndërkohë që raporti i kredisë me probleme në Shqipëri ra me 1,9% nga viti në vit, duke shënuar 12,9% në fund të shtatorit 2018.

Pritshmëritë e Bankës janë që pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë me probleme dhe konsolidimi i sistemit bankar pritet të ndihmojnë në një rritje të qëndrueshme të kredisë në të ardhmen. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.