Beqaj: Basha tenton të mënjanojë Prokurorinë, por me drejtësinë e re nuk do t’ia dalë

TIRANË, 17 qershor/ATSH/- “Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po tenton të mënjanojë Prokurorinë për hetimin e fshehjes së pasurisë, por me drejtësinë e re nuk do t’ia dalë”, theksoi të hënën deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj, gjatë seancës së radhës së Parlamentit.

Deputeti Beqaj, duke folur për Paketën MONEYVAL, theksoi se vendi ynë pavarësisht të një gjoja krize, që po kalon sërish ka tregues pozitiv në ekonomi.

“Së pari, lufta ndaj paligjshmërisë, parave të pista, ndaj përpjekjes për pastrimin e tyre është një luftë e pandërprerë. Ka vite që zhvillohet dhe do të zhvillohet për sa kohë jemi të vetëdijshëm se bota e paligjshme përpiqet të vijoj në rrugën e vet të pisët, duke kërcënuar rendin botëror. Prej 15 vitesh tashmë, gërshetimi i parave të pista me terrorizmin është evidentet”, – tha Beqaj.

“Përpjekjet për rivendosjen e ligjshmërisë janë të rëndësishme për ne shqiptarët, qoftë për të dhënë mbështetjen e nevojshme në hapat e parë të zbatimit të Reformës në Drejtësi, qoftë në përpjekjet tona për integrimin në BE. Dhe këto pr/ligje dhe amendime që qeveria sjell sot për t’u votuar në Kuvend, tregojnë dhe faktojnë atë që tha Komisioni Europianë në maj, se Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë që të marri pa kushte hapin e radhës për përfshirjen në BE”, – vijoi Beqaj.

“Por, është koincidencë, që po sot në prokurorinë e Tiranës do të prezantohej padija më e madhe që i është bërë politikës shqiptare në 30 vitet e fundit për fshehje pasurie. Nga se jemi njoftuar sot, Lulzim Basha nuk është paraqitur në prokurori, duke nxjerr një sebep, që formati i thirrjes nuk qenka në përputhje me procedurën. Nuk është moment t’i hymë në thelbin juridik këtij akti. Rëndësi ka që Basha është thirrur nga Prokuroria për aktin para disa muajve, si person që ka dijeni për ngjarjen dhe pas kësaj tashmë është nën hetim. Gjëja e parë që duhet të kishte bërë Basha, për partinë e tij dhe për vete, do të ishte të paraqiste që ditën e parë gatishmërinë e plotë që kjo çështje të zgjidhej”, – tha Beqaj.

“Por me sa duket, Basha nuk heq dorë nga marrëdhënia më shumë se 10-vjeçare me prokurorinë shqiptare ku i shmanget me sëmundje, me raporte, etj., etj. Gjithsesi ndoshta kjo do kishte ecur me drejtësinë e mëparshme, por me këtë drejtësi sot, që opozita po përpiqet në çdo mënyrë ta vonojë dhe që po përpiqet të ngrihet, nuk ka për ti ecur”, – tha Beqaj.

Duke u rikthyer te paketat ligjore në rend të ditës, Beqaj nënvizoi se qeveria dhe parlamenti duhet ti japi më shumë kohë biznesit të njihet me ndryshimet e reja ligjore.

“Në fakt brenda pesë ligjeve të paktës është dhe një ligj për amendim për procedurën tatimore. Sigurisht që ndoshta ne jemi të vonuar që kujtdo biznesi me xhiro mbi 2 milionë lekë ti kërkojmë të hapi llogari bankare, por unë do doja që hyrja në fuqi të mos ishte menjëhershme, por në 1 janar 2020 dhe jo në mes të korrikut. Ky është propozimi im”, – tha Beqaj.

“Unë besoj se çdo politik fiskale është e suksesshme nëse shoqërohet me administrim fiskal efektiv. Parashikueshmëria është element thelbësorë i administrimit të suksesshëm fiskal. Prandaj mendoj se bizneset duhet të marrin kohën e duhur për të kuptuar procedurën dhe për të hapur këtë llogari bankare”, shtoi Deputeti Socialist, i cili theksoi se “përtej këtij momenti kemi detyrimin që për biznesit të vogël t’ja lehtësojmë jetën”.

Beqaj tha se “kriza” nuk ka ndikuar në ekonominë shqiptare. “Banka e Shqipërisë raportoi bilancin e pagesave. Investimet e huaja direkte janë më shumë se tre muajt e parë të 2018-ës. Pra, dhe frikërat janë të pavërteta, sepse kjo provohet në mënyrë të saktë nga integriteti i të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Edhe në turizëm, tre mujorin e parë kemi 5% të ardhura më shumë nga turizmi. Do donim dhe më shumë, por vazhdojnë trended positive në ekonomi”, – tha ai.

“Agjentët ekonomik familjar kanë ende besim dhe shpjegimi më i thjeshtë është ky: Monedha vendase, pavarësisht se gjoja po kalojmë një krizë forcohet. A ka një vend që e ka këtë? Kjo vjen sepse tregtia e shërbimeve vijon e rritet”, – tha Beqaj.  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.