Basha refuzon të paraqitet në prokurori për lobimin rus

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe dy drejtuesit e tjerë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi e kanë konsideruar në shkelje të ligjit thirrjen e tyre në prokurori sot në orën 09:30.

Në një letër drejtuar prokurorisë së Tiranës, Basha shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur për t’u paraqitur në prokurori, sapo ajo të zbatojë me përpikëri ligjin.

Sipas tij, në njoftimin e prokurorisë së datës 12 Qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve qe kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë arsye, Kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit.

“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”, shprehet në letrën e tij Kryetari i PD, Lulzim Basha.

Ai e mbyll letrën duke theksuar se, “duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”.

Më datë 13 qershor, Prokuroria e Tiranës lëshoi një urdhër paraqitje ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-deputetëve Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, të cilët janë marrë nën hetim në kuadër të një hetimi të nisur nga organi i akuzës së kryeqytetit për fshehjen një financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Në fletë thirrje, prokuroria thekson se “po kryen hetime në funksion të procedimit penal me nr. 645 të vitit 2018. Në lidhje me këtë procedim penal janë kryer veprimet e nevojshme hetimore nga e cila kanë rezultuar elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 190/3 dhe 287/ç të Kodit Penal, të kryera nga shtetasit Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Nisur nga sa më sipër, në bazë të nenit 308 të Kodit Penal, lind e nevojshme të njoftohen palët për t’u paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, tek prokurorët e çështjes, në datë 17.06/2019, ditën e hënë në ora 09:30’, personi nën hetim Lulzim Basha, i biri Xhelalit dhe i Remzies, i datëlindjes 12/06/1974, lindur në Tiranë dhe banues në Tiranë”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.