Sulmuan me lëndë piroteknike eskortën e Kryeministrit në Librazhd, gjykata lë në burg krerët e PD-së në Elbasan

TIRANE, 16 qershor/ATSH/- Gjykata e Elbasanit la sot në burg 4 nga 7 drejtuesit e PD-së në qarkun e Elbasanit të cilët u arrestuan në flagrancë pasi më datë 13 qershor goditën me mjete të forta dhe lëndë plasëse piroteknike eskortën e kryeministrit teksa mbërrinte në një takim elektoral në Librazhd.

Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e PD Librazhd,  Bujar Vreto, kryetarin e PD, Prrenjas Arjan Karriqi si dhe 2 mbështetës të tjerë të PD. Gjithashtu, gjykata vendosi  masën “detyrim paraqitje” për ish-deputetin Aurel Bylykbashin, sekretarin e PD-së në Librazhd, Erlind Gurra dhe për sekretarin e PD-së në Prrenjas, Leonard Ozuni . Gjatë kësaj seance ishin të pranishëm edhe ish-deputetët Edmond Spaho, Luciano Boci, Endri Hasa.

Ata u arrestuan në flagrancë nga Policia e Librazhdit për veprat penale të “Organizimit, pjesëmarrjes në grumbullime, manifestime të paligjshme”,  “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’’ si dhe “Pengim i subjekteve zgjedhore”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.