TIRANË, 16 qershor/ATSH/- Saranda, e ndodhur në gjirin e detit Jon dhe e konsideruar si një vendet më të bukura të rivierës shqiptare, u vizitua këtë fundjavë nga rreth 2851 turistë të huaj.
Porti i Sarandës bën të ditur për ATSH-në se “në bordin e kroçerës “MSC Musica” kishte turistë nga Austria, Belgjika, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Irani, Italia, Spanja, Zvicra, Ekuadori, Polonia, Rusia, Uruguaji, Zelanda e Re, etj.
Turistët e huaj vizituan pikat turistike të Sarandës si Butrintin, Ksamilin, Syrin e kaltër, kalanë e Lëkurësit, Mesopotamin, etj.
Saranda po tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj, ku vetëm për këtë vit në portin e qytetit bregdetar kanë rezervuar 42 kroçera.
Kapiteneria e portit dhe autoritetet e tjera që operojnë në të ofrojnë mbështetje maksimale për turistët.
Vetëm në javën e parë të qershorit qyteti i Sarandës u vizitua nga rreth 6 mijë turistë.
Qyteti i Sarandës njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal. Përveç diellit e plazhit, Saranda veçohet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare./k.s/ /a.g/