FOTO/ Mbi 400 çifte, garë dhe spektakël në kampionatin e parë botëror të dancit sportiv në Tiranë

TIRANË, 16 qershor/ATSH/- Mbi 400 çifte sportistësh nga të pesë kontinentet morën pjesë të shtunën dhe të dielën në kampionatin botëror të dancit sportiv, që u zhvillua për herë të parë në Shqipëri, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.

Në finalen e madhe, që u zhvillua sot juria ndërkombëtare me përfaqësues edhe nga Shqipëria nderoi me çmimin e parë në “World Open Albania latin”, Ionut Alexandru Miculescu dhe Andra Pacurar nga Rumania, me vendin e dytë Andrea Bolzoni dhe Michelle Maritan nga Mali i Zi dhe në vendin e tretë Salvatore Bellavita dhe Milena Usanova nga Shqipëria.

Ndërsa në “Worlds Championship Ten Dance” u nderuan me vendin e parë Jordi Mayral Esteban dhe Eva Aguilera Llobera nga Spanja, me vendin e dytë Tomasz Kucharczyk dhe Roza Kucharcyzk nga Polonia, ndërsa me vendin e Johann Lavigne dhe Christelle France nga Franca.

Në këtë kampionat mbi 400 çiftet pjesëmarrëse nga 33 shtete si Japonia, SHBA, Rusia, Anglia, Gjermania, etj, garuan në disiplinat latin dhe standard.

Kampionati botëror i dancit sportiv “World Open Albania”, u transmetua live në website-in e Federatës Botërore të Dancit Sportiv, si dhe në Radio Televizionin Shqiptar.

Ky kampionat u zhvillua për herë të parë në Shqipëri në bashkëpunim me Federatën Botërore të të Dancit Sportiv WDSF Federatën Shqiptare të Dancit Sportiv, me presidente Linda Spaho dhe drejtor artistik Shpëtim Dajçi, Komitetin Olimpik Shqiptar dhe Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve.

Federata Shqiptare e Dancit Sportiv (FSHDS) është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Dancit Sportiv, Anëtare e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Anëtare e Federatës Mesdhetare të Dancit Sportiv dhe anëtare e International Dance Organization. FSHDS ka bërë të mundur që danci sportiv të vijë në vendin tonë si një sport i ri, i cili i ka fillimet e veta me krijimin e FSHDS në vitin 2002, e cila ka ngritur dancin sportiv në bazë të rregulloreve dhe teknikave të vallëzimit standard dhe latin të miratuara nga Federata Botërore e Dancit Sportiv.

Danci sportiv tashmë po bëhet një sport elitar jo vetëm përsa i përket masivizimit, por dhe rezultateve cilësore që ka në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare gjë që ka sjellë pëlqimin gjithnjë e më shumë nga të gjithë grupmoshat, e në veçanti nga të rinjtë.

Danci sportiv është shtrirë pothuajse në të gjithë rrethet e vendit tonë, si Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Pogradec etj.

FSHDS ka zhvilluar një sërë aktivitetesh të tjera, si dhe ka marrë pjesë në shumë veprimtari zyrtare ndërkombëtare, ku sportistët shqiptarë kanë përfaqësuar në mënyrë dinjitoze ekipin kombëtar shqiptar dhe kanë merituar medalje ari dhe trofe të tjerë./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.