Dibër, Imeraj: Do të vazhdojmë më tej me projektet dhe punët

TIRANË, 16 Qershor /ATSH/ -Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Dibër, Dionis Imeraj, zhvilloi një takim me veteranët dhe pensionistët e qytetit të Peshkopisë.

Imeraj tha se këtij brezi i detyrohemi shumë për sakrificat dhe vlerat që mbartin, ndaj dhe programi im i ka kushtuar vëmendje të veçantë edhe kësaj kategorie.

“Rikonstruksioni i plotë i qendrës rekreative për moshën e tretë dhe hartimi i planeve specifike, do përmirësojnë jetesën tuaj”, theksoi ai përpara pensionistëve.

Dionis Imeraj, në kuadër të axhendës elektorale zhvilloi takim me banorët e Njësisë Administrative Kastriot. Ky takim u organizua në formën e bashkëbisedimit.

Imeraj mirëpriti çdo shqetësim, ankesë të banorëve, duke i siguruar ata se çdo kërkesë e tyre do të adresohet e shqyrtohet me të marrë mandatin e kryebashkiakut. Gjithashtu, ndau përpara tyre programin e punëve për Kastriotin.

“Brenda vitit të parë të punës sime si kryetar i Bashkisë Dibër do të realizojmë rikonstruksionin e argjinaturës së liqenit të Gramës, në mënyrë që furnizimi me ujin vaditës për banorët e fshatrave që mbulon ky burim të mos ndërpritet. Rehabilitimi dhe mirëmbajtja e kanaleve vaditëse, për të përballuar më së miri vaditjen e tokave buhqësore. Furnizimi me ujë të pijshëm në çdo shtëpi në fshatrat ku mungon. Asfaltimi i rrugëve në brendësi të fshatrave për Njësinë Administrative Kastriot.  Sepse vetëm së bashku mund të udhëtojmë të sigurtë drejt zhvillimit në çdo fshat dhe në çdo zonë”, u shpreh Imeraj.

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë Dibër, Dionis Imeraj u ndal në takim me banorët e njësisë administrative Maqellarë.

Imeraj, e nisi fjalën e tij me një falenderim për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e këtij komuniteti.

Më tej ai shtoi, se investimet dhe punët e mira që janë bërë për Maqellarën gjatë këtij mandati, do t’i vazhdojmë më tej gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.