Basha për burgosjen e kryetarëve të PD në Librazhd dhe Përrenjas: Vendim burracak

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ – Kryetari i PD-së, Lulzim Basha reagoi sot pas vendimit të Gjykatës së Elbasanit që vendosi masën “arrest me burg”  për kryetarin e PD-së të Librazhdit, Bujar Vreto dhe kryetarin e PD-së të Përrenjasit, Arjan Karriqi si dhe dy qytetarë të tjerë Dashamir Boja dhe Bujar Kllojku.

Ata u arrestuan të enjten me akuzat pjesëmarrje dhe organizim tubimesh të paligjshme, pengim i qarkullimit dhe pengim i subjekteve zgjedhore.

Në një deklaratë për mediet, Basha e  cilësoi si një vendim burracakësh atë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

Sipas tij, “qëllimi është vetëm persekutimi dhe trembja e kundërshtarëve politikë për të shuar protestën dhe përpjekjet kundër qeverisjes”.

“Duke shprehur solidaritetin tim për familjet e katër demokratëve të arrestuar që nuk do i kenë prindërit dhe bashkëshortët në shtëpi sot, dua t’i drejtohem Edi Ramës dhe klanit të tij në qeveri se opozita nuk frikësohet, nuk trembet dhe nuk tërhiqet”.

Basha iu drejtua edhe të gjithë policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Elbasanit duke u shprehur se “ju e dini shumë mirë se çfarë është ligji dhe drejtësia! Ju e dini shumë mirë se është kriminale që një prokuror dhe gjyqtar të braktisë ligjin dhe interesin publik për t’i shërbyer politikës dhe krimit”.

“Prokurori dhe gjykatësi i korruptuar është funksionari më i rrezikshëm në shoqëri. As njerëzit dhe as unë nuk do ta harrojnë dhe tolerojmë krimin dhe korrupsionin tuaj”, tha Basha.

Ai u bëri thirrje punonjësve të institucioneve ligjzbatuese që të refuzojnë të bëhen vegla të verbra për të shkelur ligjin. “Ne nuk do të na thyeni dot, ne nuk do na lëvizni dot asnjë centimeter, tha kreu i PD, duke shtuar se “do të protestojmë dhe luftojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë”.

/gj.mima /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.