Shërbimet e reja, Drejtoria e Transportit Rrugor trajnon stafet

TIRANË, 15 qershor /ATSH/- Shërbimet e reja që po zbaton Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), përmes aplikimeve online kanë sjellë si domosdoshmëri zhvillimin e trajnimeve të herëpashershme me punonjësit në sportele, të cilët janë në kontakt të përditshëm dhe të drejtpërdrejt me qytetarët.

Në këtë kuadër DPSHTRR zhvilloi sot në Tiranë, trajnimin mbi procedurat e regjistrimit dhe klasifikimit të mjeteve, ndarja dhe llogaritja e taksave, si dhe etika në komunikimin me qytetarët.

Krahas shpjegimit të procedurave, në diskutim u trajtuan tematika që synojnë përmirësimin dhe lehtësimin e shërbimit në sportel për qytetarët.

Në trajnimin e sotëm morën pjesë përfaqësues nga Drejtoritë Rajonale të Tiranës, Durrësit  dhe Fierit të cilët ndanë eksperiencat dhe bashkëpunimin mes tyre, në kushtete kur DPSHTRR ka lehtësuar shërbimet për qytetarët, përmes portalit e-albania.

e.xh/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.