Rama: Duan ta bëjnë Shqipërinë copë-copë për të ndalur reformën në drejtësi

TIRANE, 15 qershor/ATSH/- Nga Kolonja gjatë takimit elektoral të radhës, kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përpjekja e opozitës për ta bërë Shqipërinë copë-copë përpara vendimit për çeljen e negociatave lidhet me hapjen e dy kapitujve për reformën në drejtësi.

“Ata janë manipulatorë të paskrupull. Duan ta bëjnë Shqipërinë copë-copë. Pse duan ta bëjnë Shqipërinë copë-copë? Sepse këto imazhe shpërndahen në Europë, ata që nuk duan të hapen negociatat me Shqipërinë, thonë: Çfarë negociatash do të hapin, sepse këta nuk janë njerëz normal, nuk është shtet, sepse është ngritur dynjaja kundër qeverisë”, tha Rama.

“Me hapjen e negociatave, Shqipëria do të ulet në tryezë me BE dhe do ketë përpara dy kapitujt e bisedimeve, 23 dhe 24 që janë kapitujt e drejtësisë. Dhe kur të hapi Shqipëria kapitujt e drejtësisë, BE nuk do të thotë hajde e bëni ligje se ne tani ligjet e drejtësisë i kemi bërë, ndryshuam Kushtetutën bëmë të gjitha ligjet si do jetë sistemi, bënë edhe vetingun, ka filluar edhe pastrimi drejtësisë. Por do na thonë na tregoni sesi drejtësia funksionon, nuk është e kapur, nuk gjykon dhe nuk ndëshkon vetëm ata që nuk kanë para për ta paguar apo nuk i falet dhe nuk i shitet atyre që kanë para, por kjo drejtësia juaj gjykon të gjithë njësoj dhe nuk ka problem të ndëshkojë këdo qoftë që nga ata që janë në majë deri në fund, që nga presidentë dhe ish-presidentë, ish-kryeministra e kryeministra, ministra e ish-ministra dhe zyrtarë e ish-zyrtarë që shkelin ligjin. Nëse e keni këtë drejtësi atëherë do bëheni anëtarë të BE-së”, u shpreh Kreu i Ekzekutivit.

“Mund ta imagjinoni dot që këta që ju i dini se kush janë, ju e dini se çfarë hallesh kanë këta me drejtësinë, të jenë të gatshëm ta përballojnë këtë sfidë. Atëherë kush është rruga për ta ndalur reformën në drejtësi. U përpoqën ta ndalin këtë drejtësi. Nuk doni të votonin Kushtetutën, erdhën amerikanët dhe ua futi dy këmbët në një dy këpucë. S’donin të votonin vetingun, dhe vazhduan të njëjtin muhabet: ky kryeministër duhet të iki etje etj. Pse? Sepse nuk donin të votonin vetingun. I dhamë gjysmën e qeverisë të votonin vetingun. Tani ç’duan këta që mos të dëmtojnë Shqipërinë, ti japim gjithë qeverinë. Si t’ia japim këtë në emër të kujt t’ia japim”, u shpreh Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.