Peleshi: Në 30 qershor, fillon programi i dytë i madh i transformimit ekonomik në Korçë

TIRANË, 15 qershor /ATSH-Megi Zonja/ -Deputeti i Partisë Socialiste, Niko Peleshi, gjatë prezantimit të kandidatin për bashkinë e Korçës, Sotiraq Filo u shpreh se ”vetëm 30 qershori, asnjë datë tjetër nuk mund të ketë, për të festuar fitoren përfundimtare të demokracisë mbi antidemokracinë”.

Peleshi tha se “30 Qershori është një datë historike për Korçën për Maliqin, për Devollin, për Pogradecin, për Pustecin, për Kolonjën,sepse ne do të votojmë për kryetarët e bashkive tona të këtij qarku të mrekullueshëm. Këtu në Korçë,në këto vite kemi bërë histori. Korça është bërë modeli i transformimit, i një qyteti që ndryshon çdo ditë, që inspiron, që i jep frymëzim gjithë Shqipërisë. Në 30 Qershor ne do të fillojmë një mandate të ri për programin e dytë të madh të ndryshimit të Korçës. Ne kemi ngjyer gjithmonë penën e programit tek fuqia juaj, tek qytetarët tanë të banorët e fshatrave të mrekullueshëm të kësaj zone”, tha ai.

Deputeti i PS theksoi se “ne po ecim përkrah jush për të shkruar faqe të historisë sonë, pasi në 30 qershor fillon program i dytë i madh i transformimit ekonomik i kësaj zone. Me Sotiraq Fillon, prej vitesh punojmë krah për krah, me mbështetjen e jashtëzakonshme të një njeriu që ka transformuar çdo ditë me punën e tij këtë qytet. Kemi ecur së bashku dhe kemi jetësuar një program që ka hedhur themelet e forta që kanë ndërtuar infrastrukturë të jashtëzakonshme të mrekullueshme moderne këtu në Korçë, infrastrukturë mbitokësore e nën tokësore, parqe, muzeume, qendra historike, pazarin e Korçës, pedonalen e qytetit, qendra sportive. Janë të gjitha këto diamante mbi trupin e këtij qytetit që çdo ditë ju thotë qytetarëve te vetë se e nesërmja do të jetë më e mire, ky është misioni ynë ndaj jemi mbledhur që t’i themi gjithë Shqipërisë, fëmijëve tanë se e nesërmja do të jetë më e mirë, nuk mund të ketë një të nesërme ndryshe pasi ne nuk mund të ecim mbrapa por vetëm përpara”.

Gjatë fjalës së tij, Peleshi deklaroi se “pas 30 qershorit politika shqiptare do të jetë ndryshe, pasi do të fitojë demokracia, pasi Shqipëria nuk mund të jetë një shtet që përpëlitet për sundimin e ligjit, por do të jetë një vend ku sundimi i ligjit do të bëhet një realitet me reformën në drejtësisë. Klasa politike shqiptare do të ketë kaluar një provim të vështirë, por do të jetë futur në rrugën e modernizimit për ta çuar Shqipërinë drejt BE përpara pa kthim mbrapa. Nga ky bulevard i themi PS dhe Edi Ramës si dhe gjithë qytetarëve të mirë, shqiptarë të majtë dhe të djathë se nuk mund të ketë kthim mbrapa, se ne si gjithmonë në histori do bëhemi bashkë siç kemi votuar për programet e bashkisë të majtë dhe të djathë, do të votojmë në 30 qershor për flamurin e Shqipërisë”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.