Zbatim i Kodit të Punës nga operatorët ekonomikë

TIRANE,14 qershor/ATSH/- Operatorët ekonomikë duhet të ndërgjegjësohen mbi detyrimet që rrjedhin nga Kodi i Punës për të trajtuar në mënyrë të drejtë dhe të barabartë punonjësit e tyre pavarësisht gjinisë apo karakteristikave të tjera.

Për këtë qëllim u nënshkrua një Marrëveshje Mirëkuptimi midis Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.

Në emër të ISHPSHSH marrëveshja u nënshkrua nga Arben Seferaj, ndërsa në emër të Agjencisë së Prokurimit Publik nga Reida Kashta.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm edhe Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Erjon Luçi dhe përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Tiranë, Maryam Salim.

Banka Botërore dhe Agjencia Franceze e Zhvillimit janë angazhuar fort në nxitjen e marrjes së përgjegjësive prej korporatave si dhe mbështesin axhendën e qeverisë shqiptare në këtë drejtim.

Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Erjon Luçi falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen e dhënë për këtë nismë dhe theksoi se një ndër aspektet sfiduese të saj është pikërisht fuqizimi i grave dhe vajzave, e jo thjesht barazia gjinore.

“Pjesa rajonale është një aspekt sfidues i kësaj nisme, por aspekti tjetër sfidues është pikërisht synimi që ka marrëveshja nuk është thjesht barazia gjinore, por është pikërisht fuqizimi i grave dhe i vajzave, që është një potencial i madh ekonomik që në duhet ta shfrytëzojmë, por edhe në aspekt të dhënies së oportunitetit. Oportuniteti nuk ka të bëjë vetëm më pjesën gjinore, por shtrihet në të gjithë shoqërinë, përfshirë edhe njërëzit më në nevojë dhe është një fjalë kyçe kur vjen puna te ulja e varfërisë dhe rritja e mirëqenies”, u shpreh Luçi, duke shtuar se një rëndësi e veçantë i duhet kushtuar dhe zbatimit të masave konkrete.

Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Tiranë, Maryam Salim, tha se: “Më këtë Marrëveshje Mirëkuptimi qeveria shqiptare jep një sinjal të fortë se të bësh biznes me shtetin, punëdhënësit duhet të sigurojnë se ata janë duke zbatuar ligjin dhe trajtuar punonjësit e tyre në mënyrë të barabartë. Diversiteti më i madh në tregun e punës në Shqipëri do të sillte përfitime të mëdha ekonomike”.

Kryeinspektori Seferaj vlerësoi se bashkëpunimi me Agjencinë e Prokurimit Publik i shërben në vetvete edhe ISHPSHSH në përmbushjen e misionit të tij për krijimin e kushteve të denja të punës.

“Deklarimi nga ana e operatorëve ekonomikë mbi garantimin e zbatimit të dispozitave ligjore në marrëdhëniet e punës, konkretisht për mbrojtjen e të drejtës për punësim dhe profesion nga çdo formë diskriminimi dhe për lidhjen e kontratave të punës për çdo punëmarrës, si dhe garantimi i marrjes së të gjithave masave në drejtim të sigurisë dhe shëndetit në punë, e në mënyrë të veçantë, për grupet e rrezikuara, do të sjellë ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e punësimit të çdo punëmarrësi”, u shpreh Seferaj.

Drejtoresha e APPP, Reinda Kashta, vlerësoi se bashkëpunimi është garantimi i respektimit të të drejtave të punonjëseve femra dhe, jo vetëm, sikundër parashikuar nga Kodi i Punës dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore në zbatim të tij nga Operatorët Ekonomikë pjesëmarrës në procedurat e prokurimit. “Përdorimi i legjislacionit të prokurimit publik dhe, në këtë rast, i dokumenteve standarde të tenderit, si një instrument që nxit dhe siguron zbatimin e detyrimeve ligjore të parashikuara nga legjislacione të fushave të tjera, tregon edhe njëherë rëndësinë e madhe që ka procesi i prokurimit publik dhe natyrën gjithëpërfshirëse të tij”, u shpreh ajo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.