Punët e kryera në Roskovec, mjaftojnë sa për 1 milion fjalë

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në takimin elektoral në Roskovec në mbështetje të kandidates së PS-së për këtë bashki, Majlinda Bufi, e cilësoi të lehtë këtë fushatë në bashkitë ku socialistët kanë drejtuar për katër vjet, pasi punët e kryera nuk kanë nevojë për shumë fjalë. Ai vlerësoi po ashtu masën e madhe të njerëzve të mbledhur në takime, që po i japin entuziazëm dhe mbështetje.

“Ky është rezultat i faktit që shumica e njerëzve e kuptojnë se këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë, janë zgjedhje për Shqipërinë mes hienave dhe fantazmave të së shkuarës dhe Shqipërisë që duam për fëmijët e këtij vendi”, – tha Rama.

“Këtu në Roskovec, nuk ka nevojë për shumë fjalë, pasi puna e Majlindës këtu flet më shumë se një milion fjalë”, – tha Rama.

“Mjafton të kujtojmë se kemi qenë këtu 4 vite më parë dhe e dimë si ishte Roskoveci, si ishte situata në njësitë administrative dhe e shohim si është sot. Ka ende jashtëzakonisht shumë për të bërë, por ama ajo që është bërë është mjaftueshëm për të kuptuar, edhe ata që kanë qenë dyshues 4 vite më parë, se këtë vend o e bëjmë ne, o nuk e bën dot askush tjetër. Se qytetet tona, bashkitë tona në qendër dhe në fshat o i ndryshojnë socialistët, o nuk i ndryshon dot askush tjetër”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.