FOTOGALERI/ Lumi i Shalës, panoramë turistike dhe argëtimi mes Alpeve Shqiptare

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ – Vizitorë të shumtë edhe këtë vit shijuan një super festë në Lumin e Shalës, i cilësuar si “Tailanda shqiptare”. Të pranishmit u argëtuan në një festë mes kanionit gjarpërues, ku përveç muzikës live shijuan dhe bukuritë natyrore që ky vend ofron.

“Festa e Lumit të Shalës për të dytin vit radhazi. Promovim i një prej destinacioneve të reja, por mjaft të frekuentuara në Alpet Shqiptare. Aktivitete në natyrë, lundrime, eksplorime, kamping, kulinari tradicionale dhe performanca artistike, mundësi e shtuar për zhvillimin e turizmit dhe të ofertës turistike”, tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është kthyer në dy vitet e fundit në një nga destinacionet më tërheqëse lumore të Alpeve Shqiptare. Izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës i ofron turistëve aventurier një panoramë nga ato që ngjajnë me Tajlandën e largët.

Aventurierët mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.