Edhe më shumë mbështetje për Patosin në 4 vitet e ardhshme

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në takimin elektoral për zgjedhjet e 30 qershorit në Patos, vuri në dukje se kjo është fushata më e lehtë që ka zhvilluar, për shkak se kudo në bashkitë që janë drejtuar nga socialistët nuk ka nevojë për shumë fjalë, pasi flet vetë ndryshimi.

“Kjo është fushata më e lehtë që unë kam zhvilluar, jo se nuk ka kundërshtarë, pasi mospasja e kundërshtarit e bën më të vështirë, sepse kundërshtarët vërtet nuk janë në garë për t’u ballafaquar përpara shqiptarëve, po janë në garë me kohën për të kthyer gjithë Shqipërinë pas. Kjo është fushata më e lehtë pasi kudo ku ne drejtojmë bashkitë prej katër vetësh nuk ka nevojë për të thënë shumë fjalë, pasi është ndryshimi i prekshëm që flet”, – tha Rama.

“Mjafton që secili të kthejë kokën pas kur ishim këtu katër vjet më parë, krahasimi si ishte Patosi dhe si është sot, mjafton jo vetëm për t’i dhënë mbështetjen Rajmondës, por edhe më shumë, edhe më fort mbështetje programit tonë të Rilindjes Urbane për ta mbështetur edhe më me vendosmëri përpjekjen tonë. Nuk kemi bërë aq sa kemi dashur, po aq sa kemi mundur. Unë ju siguroj që Rajmondës nuk do i mungojë mbështetja, por nëse në 4 vitet e para kemi bërë shumë, në katër vitet e ardhshme do bëjmë shumë më tepër”, – tha Rama.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.