Presidenti i PSE-së në Librazhd: Të hapen negociatat. Askush s’mund të ju privojë nga e drejta për të votuar

TIRANË, 13 qershor/ATSH/- Presidenti i Socialistëve Europianë, Sergei Stanishev, ka theksuar sot nga Librazhdi, gjatë takimit elektoral të radhës të Partisë Socialiste, se qeveria e Edi Ramës ka sjellë një ndryshim rrënjësor në Shqipëri, ndërsa ka shtuar se është i habitur se si ka politikanë që duan të privojnë shqiptarët nga e drejta për të votuar e për të zgjedhur.

“Jam i mallëngjyer që jam këtu në Librazhd me ju. Unë e di që Librazhdi është një nga pikat, bazat e forta të socialistëve në Shqipëri. 65% e Librazhdit votoi për Partinë Socialiste në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, kjo është e jashtëzakonshme”, – tha Stanishev.

“E di po kështu, që është dhe njësia zgjedhore e miku tim të vjetër, Taulant Balla. E njoh prej shumë vitesh dhe e di se prej punës së tij të palodhur merr të gjithë mbështetjen tuaj dhe njëkohësisht keni dhe një kryebashkiak që punon për ju çdo ditë, çdo natë, çdo javë. Jam i sigurt, – tha Stanishev, – se më 30 qershor do të fitoni sërish”.

“Vetëm dy ditë më parë Presidenti i Komisionit Europian, z. Juncker tha se askush s’mund t’i heqë të drejtën njerëzve për të votuar, të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre vendorë. Dhe jam i habitur që në Shqipëri ka politikanë që duan t’ju privojnë nga kjo e drejtë që keni. Sepse çdo ditë, ju duhet të keni mundësi të shkoni te kryetari i bashkisë për t’i kërkuar llogari për punët e bëra dhe që duhet të bëjë në të ardhmen”, – tha Stanishev.

“Nuk është detyra ime për t’i dhënë këshilla opozitës, por nga eksperienca mund të jap disa vlerësime. S’e kam parë asnjëherë një vend ku bojkoti, dhuna, të sjellin sukses në zgjedhje. Dhe nëse ti ke ide të mira, ke program, nëse mendon se ke njerëzit e duhur, hyr në zgjedhje, fito dhe drejto vendin. Ky është rregulli i demokracisë”, – theksoi Stanishev.

Sipas tij, bojkoti dëmton të ardhmen e vendit në BE. “Dhe në fakt do doja të ndaja me ju se ky bojkot dëmton të ardhmen e vendit në BE. Dhe në fakt i jep një justifikim atyre në Bashkimin Europian, që s’duan të çelin negociatat me vendin tuaj, pasi thonë se këtu s’ka stabilitet”, – shtoi Stanishev.

“Vendi juaj ka bërë progres të jashtëzakonshëm nën drejtimin e Edi Ramës. Në fakt këtë s’e them duke lexuar letra, kam qenë kur ishte PD në pushtet dhe tani që PS është në pushtet, diferenca është e dukshme. Kjo sepse PS e Edi Ramës ka vizion për të ardhmen e Shqipërisë, vizion që bëhet çdo ditë e më shumë realitet. Dhe në fakt për ta bërë këtë gjë, mjafton që këtu në qytetin tuaj të shihni se sa është ndërtuar për të bërë jetën më të mirë, më të sigurt e më komode për ju”, – tha Stanishev.

“Kjo është përse edhe unë jam këtu duke përfaqësuar familjen e socialistëve europianë, që është familja më e fortë e socialistëve europianë për t’ju mbështetur në zgjedhjet që do vijnë. Dhe në fakt jemi këtu që Bashkimi Europian duhet të përmbushë detyrimin e tij. Komisioni Europian ka nxjerrë progresraportin ku Shqipëria qartazi ka bërë përparim të dukshëm dhe ku rekomandohet çelja e negociatave”, – tha Stanishev.

“E di që reformat nuk kanë qenë të lehta. Reforma në Drejtësi nuk ishte e lehtë, ishte tejet e vështirë, pasi ndaj saj ka pasur rezistencë nga gjyqtarët, prokurorët dhe politikanët e korruptuar. Por këto reforma po sjellin rezultate, rezultatet të cilat nuk janë për BE, por për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që ju të keni drejtësi dhe mos të keni më politikanë të korruptuar. Nën drejtimin e kësaj qeverie shohim një vend optimist dhe shoh qytetarët shqiptarë që kanë më siguri dhe besim në të ardhmen e këtij vendi dhe ky është rezultat i qeverisjes Rama”, – theksoi Stanishev.

“Kjo është arsyeja se përse ju duhet t’i jepni sërish kandidatëve socialistë besimin më 30 qershor. Dhe të mbështesni ata që duan të ardhme më të mirë për vendin dhe kjo është ajo që kërkon Partia Socialiste”, – përfundoi Stanishev.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.