Meta organizatori atyre që nuk duan të zgjedhin

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ – Deputeti socialist, Alket Hyseni deklaroi sot se Meta e ka humbur të drejtën të jetë president.

Duke folur në seancën e Kuvendit ku po mbahet mocion me debat, “Mbi aktin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, date 5.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, Hyseni tha se, “na doli ky president që kujton se Kushtetuta është shkruar me laps dhe mund të fshijmë çdo gjë. Goma jote s’mund të fshijë asgjë z. President”.

“Presidenti nuk ka asnjë kompetencë të tillë. Kushtetuta e parashikon në nenin 94 se ke të drejtë vetëm që të përcaktosh datën. Ka edhe afat se kur e nxjerr, 9 muaj para. Po tani si do e nxjerrësh, pas 9 muajsh do bëjnë zgjedhje shqiptarët. Je organizatori atyre që nuk duan të zgjedhin dhe s’duan të zgjidhen. Punë e madhe le të rrinë në rrugë. Kjo është demokracia. Ta dish mirë nuk mund të sillesh si bajraktar, prandaj e ke humbur të drejtën te jesh president”, – tha Hyseni.

Hyseni tregoi një takim me disa të rinj, të cilët tha ia, “nuk ishin të gjithë të majtë, apo nuk ishin dakord me këtë mazhorancë apo qeveri, por të gjithë donin të votonin në 30 qershor të zgjedhin administratorin e bashkisë së 4 viteve të ardhshme. Që të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit me programet më të mira, për ujë të pijshëm 24 orë, për ambiente arsimore më të mira, për gjallërim të jetës sociale, kulturore, sportive etj. Por një nga djemtë më tha na doli kuçedra dhe kërkon të na thajë ujin në kroin e demokracisë. Ju them këtyre djemve dhe vajzave, por dhe të majtëve dhe të djathtëve që duan të votojnë të mos shqetësohen se s’ka njeri që i heq qytetarëve të drejtën e votës”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.