Një numër i madh deputetësh gjermanë mbështesin hapjen e negociatave për Shqipërinë

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me deputetët, Ervin Bushati dhe Senida Mesi kanë pritur në Kryesinë e Kuvendit një grup deputetësh të Bundestagut gjerman, të cilët ndodhen në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Delegacioni i deputetëve të Bundestagut përbëhej nga Josip Juratoviç, anëtar i Bundestagut dhe kryetar i Grupit Parlamentar (SPD), Renata Alt, anëtare e Bundestagut dhe zv/kryetare e Grupit Parlamentar (FDP), Hansjörg Müller, anëtar i Bundestagut dhe anëtar i Grupit Parlamentar (AfD) dhe ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz.

Balla falenderoi delegacionin gjerman për vizitën në Shqipëri si dhe vlerësoi rëndësinë e këtij takimi në kuadër të procesit të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Gjatë takimit, Balla vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, të cilat sipas tij janë më intensive dhe pozitive se kurrë.

“Këtë e them edhe për shkak se sapo jam kthyer nga një takim në Bundestagun gjerman, ku u diskutua me kolegët gjermanë mbi zhvillimet në Shqipëri dhe aspiratën tonë për çeljen e negociatave. Shpreh besimin për mbështetjen e Bundestagut dhe Gjermanisë në këtë proces historik që ndodhet Shqipëria, atë të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian”, – deklaroi Balla.

Nga ana e tij, Josip Juratoviç falenderoi delegacionin për mikpritjen dhe shprehu qartë qëndrimin kompakt të Bundestagut gjerman në lidhje me ndjenjat e miqësisë dhe mbështetjes së Shqipërisë në aspiratën e saj europiane.

Gjatë fjalës së tij në takim, ai shprehu shqetësimin mbi situatën e krijuar në vend, e cila po dëmton imazhin e Shqipërisë.

“Detyrë mbetet përmirësimi i imazhit të Shqipërisë që do të jetë në funksion të bindjes së vendeve skeptike si Franca, Holanda apo Danimarka. E theksova edhe pak më parë me kryetarin e Parlamentit, faktin që na ka mbetur vetëm një javë punime në Parlament dhe e kemi të pamundur të marrim një vendim prandaj vendimmarrja do të shtyhet për në vjeshtë”, – tha Juratovic.

Për sa i përket çështjes së imazhit të Shqipërisë, Balla tha se pasqyra më realiste e zhvillimeve në vend dhe ecurisë në kriteret kyçe të BE-së është raporti i Komisionit Europian, i cili bazohet në një metodologji të qartë vlerësimi.

Duke folur për një nga kërkesat kryesore të BE-së që ishte Reforma në Drejtësi, Balla theksoi se kjo reformë nuk do të kishte avancuar në këto nivele pa mbështetjen e SHBA-së dhe Gjermanisë.

Duke folur për zhvillimet më të fundit politike në vend, Balla i informoi deputetët e Bundestagut gjerman lidhur me tentativën e presidentit për të penguar zgjedhjet.

“Vendimi i presidentit Ilir Meta është një akt politik, pa asnjë rëndësi juridike. Nga debatet me të gjitha Grupet Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë është rënë dakord që ky vendim i presidentit nuk pengon zgjedhjet”, – shtoi Balla.

Ndërsa Renata Alt, anëtare e Bundestagut dhe zv/kryetare e Grupit Parlamentar (FDP) shprehu shqetësimin në lidhje me ndikimin rus në partinë opozitare.

Lidhur me këtë Balla u shpreh se për ndikimin rus ka një hetim në SHBA dhe në Shqipëri, lidhur me ndihmën prej 1 milion dollarë nga një kompani offshore, me pronarë dy oligarkë rusë.

Ndërsa, Hansjörg Müller, anëtar i Bundestagut dhe anëtar i Grupit Parlamentar (AfD) në fjalën e tij gjatë takimit ritheksoi mbështetjen kompakte të Bundestagut gjerman në tërësi për aspiratën europiane të Shqipërisë dhe u shpreh se do të raportojë në grupin e punës që trajton integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor për mbështetjen dhe përshtypjet e tij.

Interesimit të Müller që pse Shqiptarët janë në shumicë 94% proeuropianë, Balla i’u përgjigj duke theksuar se “BE mbi të gjitha synon uniformitet në Politikën e Jashtme dhe aktualisht politika e Jashtme e Shqipërisë është 100% në përputhje me Politikën e Jashtme të BE-së dhe Gjermanisë”, – tha Balla.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.