KLP dërgon për veting pesë prokurorë në garë për SPAK, Cana tërhiqet nga gara

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ – Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të mërkurën të dërgojë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për të kaluar sitën e Vetingut, pesë prokurorë në garë për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), teksa pranoi kërkesën e prokurorit Shkëlzen Cana, për t’u larguar nga gara për SPAK.

Në mbledhjen plenare të zhvilluar sot nga KLP, u vendos që të miratohen projektaktet e vlerësimit, në kuadër të rivlerësimit kalimtar për 7 prokurorë subjekt rivlerësimi (Vetingut).

Sipas vendimit të KLP, prokurorët që tashmë do kalojnë sitën e vetingut janë, Anita Jella, Alketa Nushi, Enkeleda Xhengo, Dorina Bejko, Moisi Duda, Elida Kaçkini, Ndini Tavani. Pesë prej këtyre prokurorëve, kandidat për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Ndërkohë, në mbledhjen e nisur sot në orën 10:00, u shqyrtua dhe kërkesa e prokurorit, Shkëlzen Cena, i cili kërkonte nga KLP të pranonte vullnetin e tij për t’u tërhequr nga gara për SPAK. Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me 10 vota pro kërkesën e tij.

Sipas ligjit në fuqi, këto vlerësime (projekt akte) dërgohen më pas pranë organeve të Vetingut dhe OMN. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.