Haradinaj: Vuçiç ta njohë Kosovën në këta kufij

PRISHTINË, 12 qershor /ATSH/ – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se Kosova është e gatshme që të pajtohet me Serbinë, shtet ky i cili para dy dekadave kreu gjenocid në Kosovë.

Haradinaj u shpreh se paqen e bëjnë të guximshmit, prandaj Kosova sipas tij, ka guxim që të pajtohet me Serbinë.

Kryeministri i vendit i ka bërë thirrje Serbisë dhe Vuçiç që ta njohin Kosovën në kufijtë aktual dhe të drejtën e saj për të qeverisur.

“Paqen e bëjnë të guximshmit, e ne guxojmë me u pajtua me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe Vuçiqit që ta njeh Kosovën në kufijtë aktual. Në mënyrë që ne të qeverisim, të punojmë më shumë, në luftimin e korrupsionit, forcimin e vendit dhe ligjit në vendin tonë”, – tha Haradinaj para të pranishmëve.

Haradinaj falenderoi ish-presidentin amerikan, Bill Clintonin si dhe ish-sekretaren e Shtetit Madeleine Albright për ndihmën që i kanë dhënë Kosovës ndër vite. “Ju me avionët tuaj i ndalet trenat e vdekjes dhe spastrimin etnik. Sot një popull iu falenderon tërë jetën”, – tha Haradinaj. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.