SHBA – Trump: Nuk do të dorëhiqem edhe pas hetimit të hapur ndaj meje

NJU JORK, 11 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump u zotua se nuk do të ketë një fund të ngjashëm me Richard Nixon dhe se nuk do jepte dorëheqjen, pas një procesi hetimor duke thënë se nuk ishte lloji i personit që tërhiqej nga beteja.

Trump po përpiqet të distancohet nga historia e turpit që përndoqi presidentin e 37-të të SHBA-së, teksa u përgjigjej pyetjeve në lidhje me kërkesat në rritje nga ana e demokratëve për largimin e tij nga detyra.

“Presidenti Nixon nuk arriti kurrë deri këtu. Ai u largua. Unë nuk largohem”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Ka një ndryshim të madh”, theksoi ai.

Nixon dha dorëheqjen më 9 gusht 1974 pasi mbështetja e tij politike u shkërmoq gjatë një hetimi të Komisionit të Posaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve, që nxori në dritë informacione inkriminuese në lidhje me përfshirjen e tij në një mbulim të skandalit të ashtuquajtur Watergate.

Pothuajse të gjithë anëtarët e Kongresit – republikanë dhe demokratë – e kishin braktisur Nixon në momentin e dorëheqjes së tij dhe besohej gjerësisht se ai do të përballej me akuza në Dhomën e Përfaqësuesve dhe do të dënohej në Senat nëse nuk do të dorëhiqej.

Por, Trump – pavarësisht historisë së gjatë të largimit nga sipërmarrjet e biznesit sa herë që situata vështirësohet – tha se nuk është në tipin e tij të “largohej” dhe u zotua se do të qëndronte në detyrë edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve fillon procedurën e hetimit ndaj tij.

“Nuk mund të nisësh hetimin ndaj dikujt, kur ai nuk ka bërë kurrë një gjë të gabuar”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Deklarata e presidentit vjen pasi ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë dhe ish-dëshmitari kryesor i çështjes Watergate, John Dean dëshmoi para Komisionit për Gjyqësorin në lidhje me atë që ai e quan një krahasim të “goditur”  midis Trump dhe Nixon.

“Në shumë mënyra, raporti i Mueller është për presidentin Trump çfarë ishte i ashtuquajturi udhërrëfyesi ”Watergate” për presidentin Richard Nixon”, tha Dean në lidhje me dokumentin e komisionit hetimor që përshkruan një portret të inkriminuar të Nixonit i cili iu dorëzua Komisionit Hetimor të Dhomës së Përfaqësuesve në mars 1974./ /sm/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.