Meta: Nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri pa dekretin e Presidentit

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ – Zgjedhje Shqipëria nuk ka dhe nuk do të ketë pa dekretin e Presidentit. Kështu deklaroi sot Presidenti Ilir Meta në një konferencë për shtyp, ku siguroi se zgjedhjet për pushtetin vendor do të zhvillohen në një datë kohore të mëvonshme.

Presidenti Ilir Meta në daljen e posaçme për mediet shpjegoi vendimin e tij të 8 qershorit për çdekretimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

“Ky vendim është marrë me përgjegjshmëri të plotë dhe në vlerësim të të gjithë rrethanave, fakteve, dhe të informacioneve të siguruara në cilësinë e Kreut të Shtetit se, më datë 8 qershor mund të provokohej një konflikt destabilizues me pasoja për jetën, dhe shëndetin e qytetarëve, sigurinë publike dhe rendin kushtetues në vend”, tha presidenti.

Në lidhje me argumentet kushtetues dhe logjik të publikuar edhe më herët prej tij, Meta tha se ka vënë re “disa reagime emotive, akuza të ndryshme, apo intepretime konstitucionalisto-politike se Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën, madje ka cënuar edhe Republikën, duke krijuar qëllimisht një gjendje amullie dhe konfuzioni mbi këtë çështje dhe Kushtetutën”.

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, që nga neni 1 dhe deri në fund të saj, nuk përcakton afatin me ditë apo me muaj, se kur zhvillohen zgjedhjet për pushtetin vendor. Kushtetuta nuk thotë që, zgjedhjet zhvillohen në datën 1 apo në 30 të këtij, apo të atij muaji.

Këto detaje formale i ka Kodi Zgjedhor, me të cilin siç e dini edhe ju, dhe partitë politike vetë e dinë shumë mirë si janë sjellë dhe sa shumë e kanë respektuar”, tha presidenti Meta.

“Vendimmarrja e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e Dekretit për zhvillimin e zgjedhjeve më datë 30 qershor, u bë e domosdoshme në kushtet e përshkallëzimit të ndërsjelltë dhe të vullnetshëm të qëndrimeve dhe aksioneve histerike të të dy palëve politike për rritjen e tensionit në vend, dhe rrezikut për të kulmuar përplasjen mes tyre më 30 qershor”, tha Meta.

Presidenti i Republikës fton palët të kuptojnë domosdoshmërinë e zgjidhjes së shpejtë dhe përmes dialogut të kësaj krize, si akti i vetëm që do të favorizonte çeljen sa më parë të  negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

/k.s./j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.