Këshilli Kombëtar i PD-së ngre “Aleancën qytetare për mbrojtjen e Demokracisë”

TIRANË, 11 qershor /ATSH/- Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë vendosi sot krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel kombëtar dhe në nivel lokal.

Vendimi me 5 pika i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë deklaron “formimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, si një bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend, si dhe do të angazhohet për marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues”.

“Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë të angazhohet gjithashtu, që, përmes një dialogu gjithëpërfshirës kombëtar, të hartojë një platformë të ndryshimeve të thella politike, kushtetuese dhe zgjedhore për t’i dhënë fund, përgjithmonë, modelit kriminalo-autokratik të Edi Ramës, që përqendroi të gjithë pushtetin dhe pasuritë e vendit në një grusht pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh grabitqarë dhe bandash mafioze, me qëllim që të vendosë standardet europiane të demokracisë, shtetit të së drejtës, lirive ekonomike e mundësive për të gjithë dhe mbështetjes sociale për shtresat në nevojë”, thuhet në vendimin e Këshillit Kombëtar të PD-së.

Gjithashtu, sipas vendimit, “degët e Partisë Demokratike në bashkëpunim me partitë e tjera të Opozitës së Bashkuar, janë përgjegjëse që, brenda datës 15 Qershor 2019, të formojnë Aleancat Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel lokal, në 61 bashkitë e vendit. Ato duhet të fillojnë menjëherë procesin e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend, si dhe planin e masave që duhet të ndërmerren nё terren për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues”.

Ndërsa degët e Partisë Demokratike, sipas vendimit, ngarkohen të fillojnë menjëherë procesin e kontaktimit të intelektualëve, pedagogëve, studentëve, shoqërisë civile, sipërmarrjes dhe faktorëve të tjerë ekonomiko-socialë në zonat e tyre, për t’i ftuar që të bëhen pjesë e Aleancës në nivel bashkiak.

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ngarkon kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm që të ndjekë zbatimin e këtij vendimi. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.