TIRANË, 11 qershor /ATSH/ – Qendra historike është zona ku qyteti i Vlorës ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Restaurimi i 68 objekteve në Qendrën Historike të Vlorës pritet të përfundojë brenda muajit qershor.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektoi nga afër punimet për rijetëzimin e kësaj qendre e cila do i ofroj vizitorëve dhe turistëve një vend në të cilin pasqyrohet më së miri vlera kulturore e qytetit bregdetar.
“Një moment i rëndësishëm për Vlorën, që nuk do të njihet vetëm për bregdetin e saj, por edhe për Qendrën Historike. Së bashku me zv.ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli dhe kryetarin e bashkisë, Dritan Leli, inspektuam punën në rrugën “Justin Godard” dhe atë të “Hebrenjve”, ku po punohet në disa fronte: në infrastrukturën rrugore, unifikimin e fasadave dhe nxjerrjen në dritë të hijeshisë së ndërtesave historike. Së bashku me partnerët tanë të AADF dhe bashkinë e Vlorës, do të kalojmë të gjitha vështirësitë, që kanë dalë gjatë zbatimit dhe do t’i japim një tjetër pamje qytetit”, u shpreh ministrja Margariti.
Brenda kufijve të zonës së projektit, ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat historike që mbart: rruga “Justin Godard”.
Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920. /a.a/
