Fajon: Të hapen pa vonesa negociatat me Shqipërinë

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ – Këshilli Europian duhet të respektojë angazhimin e marrë prej saj dhe duhet të hapë pa vonesa negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zëvendës kryetarja e Grupimit Socialdemokrat në Parlamentin Europian, Tanja Fajon ka theksuar të martën, gjatë një takimi të zhvilluar në Bruksel, të organizuar nga eurodeputeti Knut Fleckensten, “E ardhmja europiane e  Shqipërisë”, se Këshilli Europian duhet t’i jap një mesazh të rëndësishëm qytetarëve të Ballkanit Perëndimor se BE është në anën e tyre.

“Gjatë takimit të zhvilluar sot në Bruksel nga eurodeputeti Fleckensten, “E ardhmja europiane e Shqipërisë”, pata nderin të përcillja mesazhin e liderit tonë, Udo Bullemann. Grupi Socialdemokrat do të mbetet avokat në Parlamentin Europian i mbështetjes së integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, – deklaroi ajo.

“Ne, – theksoi Fajon, – i bëjmë thirrje Këshillit Europian të respektojë angazhimin dhe premtimin për të nisur bisedimet pa vonesa të tjera me vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi qytetarët e atij rajoni kanë nevojë për një sinjal të qartë që BE është në anën e tyre”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.