Balla: Presidenti mund të ketë shumë dëshira, po jo të gjitha mund t’i shndërrojë në dekrete

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla përsëriti edhe njëherë se dekreti i Presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit nuk ka vlerë juridike. I pyetur nga gazetarët pas takimit që zhvilloi pasditen e sotme me një grup deputetësh të Bundestagut, Balla theksoi se ditën e enjte Kuvendi do të ketë një diskutim të gjerë për këtë çështje dhe në fund do të ketë një rezolutë, është një përgjigje institucionale dhe qasje shumë institucionale.

“Përballë një akti antikushtetues duhet një sjellje e përgjegjshme dhe kushtetuese me të gjitha hapat që përfshin. Jo vetëm Kuvendi, jo vetëm vendimmarrja e djeshme e KQZ, por çdo vendimmarrje, sepse edhe ju e dini, jashtë mikrofonave bini dakord me mua që Presidenti në një republikë parlamentare nuk e ka këtë kompetencë. Presidenti mund të ketë shumë dëshira, por jo të gjitha dëshira mund t’i shndërrojë në dekrete”, – tha Balla.

Balla konfirmoi se mazhoranca nuk është tërhequr nga vendimi për të kërkuar shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

I pyetur nga gazetarët nëse PS është tërhequr nga vendimi, referuar rezolutës që është depozituar në Kuvend dhe ku nuk përmendet shkarkimi i Metës, Balla dha tha: “Aspak. Më vjen mirë edhe keq gjithashtu që një pjesë e juaja nuk e ka lexuar siç duhet draftin e rezolutës, e cila pikësëpari ka për qëllim të qartësojë se Shqipëria është republikë parlamentare, që Presidenti ka bërë një akt antikushtetues dhe të tjerat do të jenë në vijim”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.