​Fëmijët e kthyer nga Siria, në shtator integrohen në sistemin arsimor

PRISHTINË, 11 qershor/ATSH/ Në Kuvendin e Kosovës sot është diskutuar për integrimin e shtetasve kosovarë të kthyer nga zona e konfliktit të Sirisë. Nga institucionet e përfshira direkt në kthimin dhe riintegrimin e tyre u tha se ky proces do të zgjasë, por që të kthyerit do të trajtohen në secilën formë, ndërkohë që fëmijët do të marrin arsimimin dhe edukimin e nevojshëm.

Në tryezën e organizuar nga Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri, ku u diskutua lidhur me integrimin e shtetasve kosovarë dhe familjarëve të tyre të kthyer nga lufta në Siri, institucionet e përfshira në këtë rast treguan se deri ku ka shkuar procesi i riintegrimit.

Major Blerim Rama, i cili udhëheq me Drejtorinë kundër terrorizmit në Policinë e Kosovës, tha se sfidat që po paraqitën tani, pas kthimit të tyre, janë sigurimi dhe përdorimi i provave të procedurës penale, për veprimet që shtetasit kosovarë kanë kryer në zonën e konfliktit në Siri. Duke folur për ata që ishin luftëtarë në Siri, ai tha se përdorimi i provave del të jetë problematike. R

ama tha se nga takimet që po zhvillojnë me gratë e kthyera nga Siria, që tashmë janë në arrest shtëpiak, kanë ngritur dilemat se a duhet të njëjtat t’i rrisin fëmijët, meqë ato nuk duken të jenë të kthyera në sistemin e shtetit të Kosovës.

Mensur Hoti nga Departamenti për Siguri në Ministrinë për Punë të Brendshme, tha se shqetësim kryesor kanë pasur shëndetin e të kthyerve.

Ndërsa zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Eset Sahiti tha se të gjithë fëmijët në shtator do të integrohen në sistemin arsimor.

Sahiti ka bërë të ditur se MASHT ka të hartuar një udhëzim administrativ për nxënësit që kanë migruar, i cili parasheh ri-sistemimin e tyre në shkollat përkatëse. Gjithashtu, theksoi se nxënësve u mundësohet vazhdimi i mësimit në shkollat ku kanë qenë të regjistruar.

Ai tha se për fëmijët e riatdhesuar MASHT ka të përcaktuar kriteret dhe procedurat e organizimit të mësimit, ndërkohë që edhe për të rriturit e riatdhesuar tha se ekziston mundësia e arsimimit Ndryshe, në prill të këtij viti, shteti i Kosovës ka arritur të kthejë 110 qytetarë nga zonat e konfliktit në Siri, në mesin e tyre 4 luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë. Operacioni i institucioneve të Kosovës është  mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.