Subashi: Fieri edhe këtë mandat, në krye të listës së bashkive pararojë në ndryshime

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ – Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie në bashkinë e Fierit, Armando Subashi, ka vazhduar takimet me banorët e lagjeve: “Apolonia”, “Kastriot”, “16 Prilli” dhe “15 Tetori” të qytetit.

Kanë qenë takime lagjesh, por mbështetja dhe përkrahja e banorëve i kanë dhënë atyre përmasa madhështore.

Kandidati Armando Subashi ka gjetur në takime entuziazëm dhe vendosmëri në çdo fytyrë qytetarësh.

Ata janë të bindur sot më shumë se kurrë se Fierit dhe Shqipërisë i duhet të ecin përpara dhe jo të shënojnë një nga skandalet antikushtetuese më të rënda në këto vite.

“Më 30 Qershor do të tregojmë se shqiptarët e kanë thënë dhe do e rithonë përsëri me anë të votës së tyre se Kushtetuta dhe Ligji janë të shenjta dhe populli vendos”, – u ka thënë qytetarëve kandidati Armando Subashi.

Me bilancet më të mira të punës dhe qeverisjes së bashkisë në këto 4 vite, kandidati Armando Subashi u ka prezantuar banorëve projektet madhore që e presin qytetin e Fierit pas 30 qershorit.

“Pas përfundimit të punimeve të qendrës së qytetit dhe rehabilitimit të lumit Gjanica do të nisim ndërtimin e parkut të madh në pyllin e Levanit; ndërtimin e stadiumit me kapacitet 8000-10000 vende e me standard europian; pallatin e sportit; vazhdimin e ndërhyrjeve në infrastrukturën e çdo rruge e lagje. Gjithçka që i duhet Fierit dhe fierakëve”, – tha Subashi.

Banorët e këtyre lagjeve i kanë dhënë kandidatit Armando Subashi besimin, se në 30 qershor do të votojnë masivisht, për të treguar me pjesëmarrjen se Fieri e do demokracinë dhe rregullat e ndershme të saj. /gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.