Reja: Në fushë për të fituar çdo ndeshje, ndaj Moldavisë do ketë ndryshime

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ – Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Edi Reja doli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme kundër Moldavisë, në kuadër të Europianit të vitit të ardhshëm.

Trajneri italian paralajmëroi ndryshime në formacion, për të futur në fushë futbollistë më të freskët. Ai tha se në fushë skuadra futet gjithnjë me dëshirën dhe ambicien për të fituar.

“Vendet ishin të duhurat. Mesfusha ishte e duhura. Na mungoi finalizimi. Ata mbërritën vetëm një herë në portë dhe na ndëshkuan”, tha Reja, duke folur për sfidën e shkuar ndaj Islandës, të humbur nga përfaqësuesja kuqezi të shtunën e shkuar.

Sa i takon repartit të mbrojtjes, Reja tha se është i kënaqur.

“Unë nuk pashë probleme në këtë repart, por në sulm jam dakord. Duhet të gjejmë zgjidhje për të sulmuar, të çojmë më shumë topa në zonë. Na mungoi finalizimi, pasi kundërshtarët nuk arritën të bënin më shumë se sa një rast në portën tonë”, vijoi ai.

“Mesfusha besoj se duhet të ndryshohet më shumë, pasi është lodhur më shumë. Kam 3-4 futbollistë që mund të nisin nga minuta e parë. Më përpara duhet të flas me lojtarët. Ndaj Islandës pamë anën e djathtë që ishte shumë e mirë. Mund të jetë Uzuni dhe një sulmues përpara. Pjesa mbrapa ka bërë mirë. 2-3 ndryshime nesër do të ndodhin”, sqaroi Reja.

Duke folur për përballjen e nesërme ndaj Moldavisë, trajneri tha, “nuk ka skuadra të lehta”. Duhet të bëjnë lojë të bukur ashtu siç ndaj Islandës. Do i kërkoj skuadrës që të jetë e fokusuar, pasi në fushë ndodh ajo që duhet. Nuk i vlerësojmë kundërshtarët në letër, por në fushë”.

“Në Islandë ne luajtëm, mbizotëruam lojën. Ata kishin një rast dhe shënuan. Duhet të kthehemi te nivelet e mëparshme, por duke punuar shumë. Unë gjykoj se çfarë mund të bëj në shtëpinë time. Nuk e kam mendjen te Franca dhe Turqia. Kërkoj që tifozët të vijnë e të na mbështesin, jo për mua, por për skuadrën. Mavraj është kapiteni i Kombëtares Shqiptare. Është një zgjedhje definitive. Sa herë të mos jetë ai, është Hysaj ai që do të mbaj shiritin e kapitenit”, deklaroi Reja.

Duke folur për objektivat e Kombëtares, ai tha se kuqezinjtë i kanë të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv.

“I kemi të gjitha mundësitë, por na duhen disa mesfushorë të mirë për të kaluar më përpara. Me Islandën pamë anën e djathtë që ishte shumë mirë, do të shohim dhe repartet e tjera ku çaluam. Nuk mund të flasë për Turqinë dhe Francën, unë duhet të shoh shtëpinë time. Është diçka që nuk ndodh brenda ditës ose javës, ne duam mbështetje dhe nesër besoj se do ta kemi. Objektivi është që skuadra të përmirësoheshe vazhdimisht. Ndeshjet nuk ka përfunduar do të luftojmë deri në fund. Nuk do futemi për barazim, por për të fituar, ndonëse e rëndësishme është të dalim nga ndeshja me kokën lart”, përfundoi Reja.

Kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Elseid Hysaj doli përkrah teknikut, Edi Reja në konferencën për shtyp. Në fjalën e tij, mbrojtësi i Napolit tha se ekipi është i uritur për fitore.

Është e vërtetë. Zhvilluan një takim të mirë dhe gjetëm personalitetin. Jam shumë i lumtur pasi kryem lojën që i mungonte Kombëtares sonë. Duhet thjeshtë të vazhdojmë rrugën e duhur dhe besoj se do të arrijmë në 100% tonë”, tha Hysaj.

Unë besoj se duhet të tentojmë të luajmë për rritjen e kombëtares sepse kemi nevojë. Trajneri erdhi i ri. Kemi kohë. Na duhet çdo ditë për të vënë nga një shkallë, sepse e nisëm edhe njëherë nga zero për ta kthyer këtë skuadër siç ishte dikur. Të jemi një grup më kompakt, një ekip me identitet. Duhet të kemi kohën dhe ta shfrytëzojmë për të marrë më të  mirën”, vijoi Hysaj.

Ai në fund i bëri dhe një apel tifozerisë.

“Sa më shumë tifozë aq më shumë zemër do kemi të ecim përpara. Do na ndihmojnë të rritemi. Do e mendojmë me trajnerin dhe duhet të jemi shumë konkret me realizimin e aksioneve. Duhet të nisim sa më shumë topa në zonë për sulmuesit tanë”, përfundoi Hysaj.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.