Refuzimi i dekretit të Presidentit nga KQZ, Bardhi: Shpërdorim detyre

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se “refuzimi i dekretit të Presidentit nga militantët e PS-së në KQZ është  shpërdorim detyre”.

Sipas Bardhit, “janë të njëjtët që deklaruan se Kushtetuta ndryshon me vendim qeverie”.

“Mos u habisni! Mos u skandalizoni nga shpërdorimi i turpshëm që po i bëjnë detyrës disa anëtarë militantë të PS-së në KQZ. Këta që marrin përsipër të shqyrtojnë dhe të refuzojnë një dekret presidencial, janë ekzaktësisht të njëjtët militantë që pohuan përpara Gjykatës Kushtetuese se Kushtetuta mund të ndryshohet edhe me vendim qeverie. Po të njëjtët, sot, thonë se Dekreti i Presidentit të Republikës shpallet i pavlefshëm me vendim të degës së Partisë Socialiste në KQZ”, tha ai.

Vasili: Puç institucional

Zv.kryetari i LSI, Petrit Vasili deklaroi sot se “KQZ e krimit të organizuar konsumoi veprën e rëndë të puçit institucional duke refuzuar dekretin e Presidentit për zgjedhjet”.

“Anëtarët e e rilindjes në KQZ u vetëngarkuan me përgjegjësi shumë të rëndë penale nga e cila nuk i shpëton dot as Edi Rama dhe askërkush”, tha Vasili.

Kaso: Refuzimi i dekretit të Presidentit, puç institucional

Kryetari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, reagoi në lidhje me refuzimin e KQZ-së për të zbatuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

“Refuzimi i pashembullt i KQZ-së, për të zbatuar dekretin e Presidentit të Republikës, është hapi i parë i një puçi institucional! Asnjë akt i mëtejshëm lidhur me zgjedhjet s’mund të jetë i ligjshëm dhe i vlefshëm për sa kohë s’ka datë të dekretuar për zgjedhjet”, tha ai.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.