KQZ për Dekretin e Presidentit, Biba: Akt i pavlefshëm. Zguri braktis mbledhjen

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvlerësuar dekretin e Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve, në një mbledhje urgjente pas vendimit të Metës që sot firmosi Dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Pasi Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri braktisi mbledhjen duke kërkuar zbatimin e vendimit të presidentit, 4 anëtarët e propozuar nga PS e konsideruan aktin nul, pa marrë asnjë vendimmarrje, dhe vijuan me rendin e ditës si të ishte një situatë normale, duke shpërndarë fondet për partitë pjesëmarrëse në zgjedhje.

Para se të largohej, Zguri e quajti një sfidë mbledhjen e thirrur sot nga nënkryetari Denar Biba dhe anëtari Bledar Skënderi, pas mbërritjes së dekretit të Presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, dhe për të detyruar këtë institucion ta zbatojë dekretin.

“Është një situatë e pazakontë. Momentalisht duket si një lloj sfide. Nga njëra anë kam dekretin e Presidentit që çdekreton datën e zgjedhjeve. Nga ana tjetër kam një axhendë të mbledhjes së thirrur nga dy kolegë të nderuar”, tha Zguri.

“Ka një hierarki ligjore, personalisht në 22 vite që kam, e them dhe një herë nuk më ka rastisur të ndodhem në një situatë të tillë. Të vëmë në diskutim një dekret të presidentit. Ka ndodhur e njëjta gjë edhe më parë, janë tre raste që presidentët kanë çdekretuar dekretet e tyre dhe kanë vendosur një datë tjetër”, tha Zguri.

“Nuk dua të futem janë apo jo në të drejtën e tyre, unë besoj që duhet t’i bindemi një dekreti. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe kur doli dekreti për datën e zgjedhjeve”, tha ai.

“Gjërat nuk shkuan siç ne mendonim, jemi në këtë moment që flasim përballë këtij fakti. Nuk dua të gjykoj kompetencën e presidentit. Nuk jam Gjykatë Kushtetuese të vlerësoj është apo jo i ligjshëm dekreti i Presidentit. Për mua është detyrim dhe duhet të respektoj dekretin e tij”, tha kreu i KQZ.

Zguri gjithashtu theksoi se, “pika 2 e dekretit më urdhëron që të informoj subjektet zgjedhore për dekretin e Presidentit. As kjo pikë e dekretit nuk respektohet, dhe unë jam ndodhur në vështirësi. Kërkesa ime për t’ia dërguar subjekteve zgjedhore refuzohet. Për mua kjo është fare banale. E thashë si shembull për të kuptuar se ku po shkojmë”.

Duke e cilësuar një situatë të rëndë dhe që mund të ngjallë debat të fortë, kreu i KQZ-së ka braktisur mbledhjen.

“E përsëris. Thirrja e kësaj seancë është një lloj sfide që i bëhet dekretit të Presidentit nga dy kolegë të mitë. Jam i detyruar të çohem ndoshta kolegët mund ta zhvillojnë mbledhjen ose nëse janë në të njëjtën logjikë me mua mund të më bashkohen”, – tha Zguri, i cili braktisi mbledhjen e KQZ.

Ndërsa nënkryetari i KQZ, Denar Biba u shpreh se, “mbledhja ishte parashikuar për orën 12:00, por me të marrë vesh ardhjen e dekretit vendosëm ta shtynim me 2 orë për t’u marrë me brendinë e tij”.

“Presidenti ka nxjerrë dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve në nëntor ku thuhet se “zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor 2019”. Kodi zgjedhor detajon se data e zgjedhjeve përcaktohet nga presidenti i Republikës, zgjedhjet zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit. Sot vetëm 20 ditë para datës së zgjedhjeve presidenti vendos shfuqizimin e dekretit për anulimin  e zgjedhjeve”.

Ky dekret i dytë, theksoi Biba, “është një akt i pavlefshëm. Praktikisht dekreti i sotëm bie ndesh me parimin e ligjshmërisë ku thuhet se organet publike ushtrojnë detyrat brenda kompetencave të tyre”.

“Presidenti nuk mund të anulojë apo të mos caktojë fare një datë zgjedhjesh. Pasi duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, Shqipëria është sot pa një datë zgjedhjesh. Duke e lënë vendin pa datë zgjedhjesh, presidenti refuzon të përmbushë detyrimin kushtetues”, tha Biba.

Sipas tij, “shfuqizimi i dekretit është një shkelje e hapur sepse lë vendin pa datë zgjedhjesh. Unë vlerësoj se KQZ ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve për 30 qershor”.

Ndërsa anëtarja e KQZ, Rezarta Bitri deklaroi se akti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit është nul dhe jashtë kompetencave të tij

“Detyrat dhe kompetencat e presidentit rrjedhin nga parimet e shtetit të së drejtës. Veprimet e tij duhet t’i përmbahen kushtetutës, ku thuhet se presidenti ka kompetencë vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve, dhe jo t’i shtyjë apo t’i anulojë ato”, tha Bitri.

Sipas saj, “nuk mund të shtyhen zgjedhjet në infinit. Duhet të kishte një datë për zgjedhje të reja”.

“Është e qartë se sistemi ynë nuk ja jep këtë kompetencë presidentit. As kushtetuta dhe as ligji elektoral nuk parashikojnë një kompetencë të tillë të presidentit. Jam tërësisht e bindur që ky është akt nul dhe nuk na pengon për të vijuar më tej organizmin e zgjedhjeve të 30 qershorit”, tha Bitri.

Anëtarja e KQZ, Edlira Jorgaqi, deklaroi se akti për anulimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm sepse është haptazi i paligjshëm. Ajo tha se nuk mund të anulohen zgjedhjet në një kohë kur ka nisur puna për organizimin e tyre.

“Akti për anulimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm sepse është haptazi i paligjshëm. Është cenim i parimit të ligjshmërisë. Akti është absolutisht i pavlefshëm edhe kur organi ushtron një kompetencë që ligji nuk ia lejon. Nga nëntori ligji nuk njeh asnjë kompetencë për shtyrë apo shfuqizuar datën e zgjedhjeve. Si rrjedhojë e aktit për zgjedhjet në 30 qershor, KQZ është në ushtrim për përgatitjen e tyre. Janë ngritur KZAZ, janë prezantuar kandidatët, janë tenderuar fondet publike, para të taksapaguesve shqiptarë. Ato nuk mund të flaken tutje”, tha Jorgaqi.

Ndërsa anëtari i KQZ, Bledar Skenderi tha se, “Meta duhet të bënte zjarrfikësin e politikës në Shqipëri. Bëri të kundërtën”.

“E konsideroj një akt nul dekretin e tij”, tha Skënderi.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.