FOTO/ Arkitektura unikale e banesave në Berat përmes artit të të rinjve

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ – Arkitektura unikale dhe origjinale e banesave në Berat ka tërhequr vëmendjen e brezit të ri të cilët janë frymëzuar prej tyre. Vlerat e trashëgimisë kulturore të lagjeve muzeale “Goricë” dhe “Mangalem” erdhën përmes artit nga të rinjtë.

Nxënësit e shkollës artistike “Ajet Xhindole” shprehën talentin dhe krijimtarinë e tyre duke  hedhur në telajo detaje të arkitekturës së banesave monument kulture dhe gjallëruan rrugicat karakteristike me art.

Arkitektura unikale e banesave në Berat duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.

Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, i bëjnë këto banesa një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.

Një hijeshi të veçantë arkitekturës së lagjes i jep edhe prezenca e radhës së dyqaneve në rreshtin e parë, aty ku aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznese të ndryshme të qendrës historike të qytetit.

Në shumicën e literaturës turistike për vetë kompozimin arkitekturor të ansamblit të Mangalemit, Berati cilësohet ndryshe edhe si “qyteti i një mbi një dritareve”. /a.a/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.