Vendimi i Presidentit akt politik, nuk ka lidhje me Kushtetutën

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi e cilësoi sot vendimin e Presidentit Ilir Meta për çdekretimin e datës së zgjedhjeve, si një akt politik që nuk ka lidhje me Kushtetutën.

Në një reagim për mediet, Patozi shprehet se pas këtij vendimi të papritur të Kreut të Shtetit, është deklarata e Palmer nga Uashingtoni, sipas të cilit ndryshoi monotoninë dhe zgjoi reagimin radikal të Metës.

Patozi thekson se ky vendim i Metës, është një arsye më shumë që qytetarët të shkojnë të votojnë më 30 qershor.

“Bindja Demokratike është shprehur që në ditën e parë të themelimit të saj se, nuk e ka shqetësim fare datën e zgjedhjeve, sepse ajo do të merrte pjesë në to, kurdo që ato të mbaheshin. Për ne ka pasur më tepër rëndësi procesi, i cili duhet të ishte brenda standardeve të OSBE/ODIHR-it, sesa rezultati i partisë në ato zgjedhje. Dëshira jonë e fortë ka qenë që në këto zgjedhje të merrnin pjesë të gjitha forcat politike të vendit dhe pas përfundimit të tyre mundësisht të gjitha ta pranonin rezultatin, që Shqipëria të kthehej më në fund në një vend normal”, – tha ai.

Por Patozi u shpreh se “nuk mund të qëndronim indiferentë dhe të bënim si të painteresuar ndaj një realiteti të ri që është krijuar artificialisht në Shqipëri”.

“E kam fjalën për lajmërimin e Presidentit të Republikës se ka ndërmend të ndryshojë me dekret datën e zgjedhjeve vendore. Si njëra nga forcat politike pjesëmarrëse në garën e 30 qershorit, ne mendojmë se këtu nuk kemi të bëjmë fare me një debat kushtetues. Po të kishte pasur të tillë, Presidenti i Republikës, me shumë gjasa, do ta kishte ezauruar atë përpara se të binte gongu i fushatës, dhe jo tani që jemi gati në mesin e saj”, – tha ai.

Patozi tha se “ne besojmë që zgjedhjet janë një çështje shumë e rëndësishme dhe serioze dhe se ato nuk mund të trajtohen si shaka”.

“Ti nuk mund t’u thuash sot miliona shqiptarëve që janë përfshirë në këto zgjedhje, qoftë edhe duke parë në televizor fushatat e partive garuese, se loja duhet të anulohet. Sepse, kjo do të ishte shumë e rëndë. Unë besoj se një gjë e tillë shkon kundër Kushtetutës, kundër precedentit, por edhe kundër logjikës më minimale. Ndaj edhe nuk shikoj asnjë arsye pse të presim të hënën që të njihemi me argumentet kushtetuese të Presidentit, për shkak se kjo është një çështje thellësisht politike. Dhe mjafton një analizë e thjeshtë për këtë”, – tha Patozi.

Sipas tij, “e vetmja e re dje për politikën në Shqipëri ishte intervista e zotit Palmer nga Uashingtoni, e cila me sa duket, prishi qetësinë dhe zgjoi reagimin radikal të Presidentit”.

“Ndaj unë gjykoj, se kjo është një arsye më shumë, se përse shqiptarët duhet të shkojnë në zgjedhje dhe të votojnë më 30 qershor”, tha Patozi.

/m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.