Rama: Ndërsa portalet mbushen me baltë, hapen 28 qendra shëndetësore verore

TIRANË, 9 qershor/ATSH/- Sezoni veror ka nisur dhe në pikat kryesore të turizmit detar janë ngritur dhe 28 qendra shëndetësore verore.

Kryeministri Edi Rama, duke uruar mirëmëngjesi, pasqyron punën e mirë të realizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me ngritjen e qendrave shëndetësore verore.

“Mirëmëngjesi! Dhe me një nga shumë punët e mira që vazhdojnë, ndërkohë që ekranet, portalet e kanalet janë të mbushura me baltë e zhurmë, ju uroj një të dielë të qetë”, uron Kryeministri Edi Rama.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hapi 28 qendra shëndetësore verore, që do të ofrojnë shërbim shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës pranë zonave turistike.

Qendrat shëndetësore verore të hapura nga veriu në jug të vendit, tashmë janë pajisur me barnat dhe materialet mjekësore bazë për rastet e urgjencave mjekësore.

Janë 132 mjekë dhe infermierë të trajnuar për çdo emergjencë, të cilët do të ofrojnë shërbim të specializuar në 28 qendrat verore, të cilat janë pajisur me të gjithë barnat dhe materialet mjekësore të nevojshme për të mbuluar sëmundshmërinë e stinës së verës dhe urgjencën mjekësore.

Qendrat shëndetësore 24 orëshe pranë zonave turistike do të jenë të hapura deri më 15 shtator.

Gjatë vitit të kaluar, rreth 50 mijë pushues morën shërbim në qendrat shëndetësore verore, gjatë sezonit turistik.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.