Përgjimet, Rama: Plan i detajuar për të bërë shantazh politik

TIRANË, 9 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama komentoi sot nga Dibra çështjen e përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, duke deklaruar se “është nxjerrë sekreti hetimor për t’u përdorur për shantazh politik dhe jo për të bërë drejtësi”.

Në një takim elektoral me banorë të Dibrës, Rama tha se “drejtësia që duan ata është një mekanizëm për të sulmuar kundërshtarët dhe për të mbrojtur veten e tyre”.

“Ju e keni parë sesi për fat të keq, në përpjekjen e tyre të dëshpëruar, ata i kanë bërë edhe Shqipërisë një dëm shumë të madh. Nuk janë kursyer jo vetëm në hedhjen e baltës së përditshme ndaj nesh, por edhe kudo ku kanë shkuar, dhe në çdo kanal, ekran, portal apo gazetë nëpër botë, kudo që kanë pasur mundësi”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ata kanë menduar dhe mendojnë se politika e propagandës që e shpiku mjeshtri i propagandës së nazizmit ‘bëje gënjeshtrën sa më të madhe dhe përsërite sa më shumë për ta bërë të besueshme’, nuk ka pushuar një ditë, me gjithë akuzat më monstruoze dhe përpjekjet për t’ju futur njerëzve sa më thellë në mendje dhe në shpirt bindjen se, ato që thonë ata janë të vërteta”, – tha Rama.

E gjithë kjo përpjekje, sipas Ramës, “është një plan i bërë hap pas hapi, ku nuk është kursyer fare as Shqipëria”.

“Brenda këtij plani kanë përfshirë edhe segmente të Prokurorisë. Dosja filloi të hapej, por jo si një dosje hetimore nga prokurorët për t’u hetuar dhe nxjerrë fajtorët para gjyqit, por u hap nga partia sa këtu, sa në Gjermani, për të bërë shantazh politik”, – tha Rama.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.