Alla: Prioritet zgjidhja e problemeve të Bulqizës, rrisim punësimin

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ – Gjatë fushatës elektorale të zhvilluar në Dibër, kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Bulqizë, Lefter Alla renditi përpara qytetarëve dibranë disa nga objektivat të cilat ai synon që t’i vendosë në zbatimin pas marrjes së mandatit të kryetarit.

Alla theksoi se zgjidhja e problemeve të Bulqizës do të jetë prioritet i tij, duke mos e lënë më këtë qytet në harresë.

“Zgjidhja e problemeve të Bulqizës do të jetë prioritet i punës sime. Bulqiza pa dyshim që kërkon angazhimin e të gjithëve. Është domosdoshmëri për të punuar së bashku për të tërhequr investimet e huaja dhe vendasem, për të hapur vende pune, për të zhvilluar sipërmarrjen private në qytet dhe fshat, për të rikthyer vëmendjen drejt krahinës, duke e bërë Bulqizën një vend tërheqës. Kontrata ime është me qytetarët, prandaj kemi përgatitur një program politik, ambicioz për katër vitet në vijim, me projekte konkrete dhe plotësisht të realizueshme, me një fokus të veçantë te shtresat në nevojë, gratë, rinia dhe te banorët e zonave rurale”, – theksoi ai.

Ai u shpreh se do të përdorë të gjitha resurset natyrore që ofron zona e Bulqizës për të krijuar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, punësim dhe turizëm.

“Në këtë kuadër synojmë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, duke shfrytëzuar të gjitha pasuritë natyrore të Bulqizës. Një nga synimet tona të rëndësishme ka të bëjë me zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, agroturizmit, duke i mbështetur ato me të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Jemi në pritje të realizimit të projektit më të madh në qarkun e Dibrës, atë të përfundimit me sukses të Rrugës së Arbrit”, – vijoi ai.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.