Kandidati Mema: Në 30 qershor nisim kapitullin e ri drejt së ardhmes

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Kandidati për kryetar bashkie i Skraparit, Adriatik Mema në fjalën e tij në hapje të fushatës elektorale të 30 qershorit, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, u shpreh se pas 12 vitesh është momenti që në datën 30 qershor me votën tuaj te merrni drejtimin e bashkisë së Skraparit, duke nisur kësisoj pas kaq vitesh një kapitull të ri drejt së ardhmes.

Bashkia mbas 30 qershorit do të jetë në sinergji të plotë dhe produktive me Qeverinë duke sikronizuar më mirë prioritetet zhvillimore për Skraparin.

Mema i kujtoi qytetarëve se “me gjithë mbështetjen e Qeverisë mënyra e deritanishme e menaxhimit të financave publike nuk ka shkuar në favor të qytetarëve, nuk është përkthyer në investime të domosdoshme publike dhe në perspektivë zhvillimi për komunitetin, kjo gjë tashmë merr fund”.

Ai theksoi se “drejtimi i Bashkisë nga Partia Socialiste do të bëjë të mundur që fryma transformuese dhe e modernitetit do të reflektohet më së miri nga Qeveria Rama që do të ketë impaktin e saj edhe në Skrapar.

Unë jam shumë i bindur se do ta arrimë këtë gjë. Bashkia e Skraparit do të marrë një dimension krejt të ri me një vizion drejt së ardhmes për ta bërë Skraparin të mirëjetueshëm për banorët e tij, por gjithnjë e më të vizitueshëm për këdo që do të shijojë bukuritë e tij natyrore”.

Kandidati Mema shtoi se ne “do ti ofrojmë qytetarëve shërbimet e duhura sipas konceptit, zyrat e bashkisë do të shkojnë tek qytetarët, dhe jo qytetari tek zyrat e Bashkisë. Marrëdhënia me ta dhe komunitetin do të marrë një dinamikë të re, sipas së cilës do të jetë komuniteti ai që do të vendosë për iniciativat e zhvillimit.

Bashkia e pas 30 qershorit nuk do të jetë kurrsesi bashkia ku taksat e taksapaguesve të Skraparit shkonin për të paguar rrogat e një grupi njerëzish të përzgjedhur nga kryetari, duke mbajtur një administratë të madhe në numër, tej ëdo logjike të funksionimit të administratës publike.

Në bashkisë e së nesermës do të punojnë aq punonjës, sa është e nevojshme për qytetarin, dhe jo aq sa vota i duhen kryetarit. Taksat e paguara nga qytetarët do të shkojnë në investime dhe të mira publike për ta”, – tha në mbyllje të fjalës së tij kandidati socialist për bashkinë e Skraparit, Adriatik Mema. /m.z/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.