Cenimi i zgjedhjeve, Rama: Gabojnë, unë jam gjithmonë 3 lëvizje para

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha pasditen e sotme nga tubimi hapës i fushatës së zgjedhjeve në Berat se janë marrë të gjitha masat për t’i dalë para përpjekjeve për cenimin e zgjedhjeve.

“Ne i kemi marrë të gjitha masat dhe ua thashë dhe po ua them atyre që duhet ta dëgjojnë, gabojnë shumë me këto lëvizje që bëjnë se unë jam gjithmonë 3 lëvizje para. Asnjëherë deri më sot nuk më kanë surprizuar dhe as më kanë kapur në befasi. Janë çuditur më parë sesi u ndodhi, do çuditen edhe kësaj radhe sesi ka për të ndodhur”, tha Rama.

Kryeministri vijoi duke shtuar se ata që bërtasin në rrugë bërtasin për të trembur frikën e tyre.  “Ata janë fiks në përpjekjen e dëshpëruar për të trembur frikën e tyre. Kanë frikë të madhe dhe nuk kanë faj. Frikë të madhe nga zgjedhjet se nuk i fitojnë dot, se janë të paaftë, janë dembelë dhe janë të pabesueshëm. Ne jemi padiskutim të aftë e punëtorë, madje edhe ata që janë të pakënaqur ndaj nesh e thonë se o e bëjmë ne, o kjo nuk bëhet”, tha Rama.

“Ne, me të gjitha kusuret tona, jemi me të drejtën dhe si kushdo që është me të drejtën, e drejta do na shpërblejë. Ata duan të mbjellin frikë dhe nga frika e tyre do të treten. Mbajeni mend dhe do të habiteni kur një ditë do të thoni ore ku janë këta?. Ky popull ka shumë halle e probleme e një mijë e një qen që lehin nga mëngjesi deri në darkë e që përpiqen ta çorodisin, mirëpo ka një gjë që kush e ka nënvlerësuar, e ka ngrënë”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.