Balla në Elbasan: Zgjedhjet nuk i luan as topi, jo më Ilir Meta

TIRANË, 8 qershor/ATSH/- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se “Ilir Meta nuk mund të shfuqizojë zgjedhjet e 30 qershorit. Këto zgjedhje nuk i luan as topi, jo më Ilir Meta”.

Në fjalën e tij në një takim elektoral në Elbasan, Balla theksoi se “presidenti sot nuk ka bërë një akt që ne nuk e dinin”. “Ky është akti i fundit i mbylljes së një cikli që zhvillohet në Shqipëri prej korrikut të 2016, kur Meta ishte me ne në qeveri. Asokohe, Ilir Meta ishte me ne në qeveri, por me shpirt kundërshtonte reformën në drejtësi. Më pas ngjarjet rrodhën erdhën zgjedhjet e 2017 më në fund u nda shapi nga sheqeri dhe prej asaj kohe ne jemi përballur me një aleancë politikanësh të korruptuar, të cilët kanë bërë gjithçka për të penguar reformën në drejtësi”.

“Filloi në 2016 kur SHBA dhe BE i morën prej veshi dhe i sollën në Kuvend dhe votuan Reformën në Drejtësi. Në shkurt erdhi përpjekja tjetër për të shkatërruar parlamentarizmin duke dorëzuar mandatet, por edhe kjo dështoi se sot në Kuvend më shumë se tre të katërtat e deputetëve të opozitës janë në parlament”, – nënvizoi Balla.

Sipas tij, parlamenti është edhe funksional si në kuotën minimale edhe në atë maksimale.

“Dua ta them troç se zgjedhjet e 30 qershorit nuk i luan as topi, jo më Ilir Meta. Zgjedhjet nuk mund të lëvizin. Më 30 qershor këtu do zhvillohen zgjedhje normale”, tha Balla./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.