Tërmeti u prishi shtëpitë në Floq, Rama: Fond solidariteti nga bashkitë, i rindërtojmë brenda verës


TIRANË, 7 qershor /ATSH-Gjergji Mima/ – Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë mëngjes pune me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe deputetin Fatmir Xhafaj në njësinë 10, shoqëruar edhe nga disa banorë të zonës.

Rama u shpreh se për të rindërtuar shtëpitë e banorëve të prekur nga tërmeti në Korçë, do të krijohet një fond solidariteti në të gjitha bashkitë.

“Do bëjmë një fond solidariteti të bashkive tona. Çdo bashki do të marrë nga një shtëpi në ngarkim. I thashë të bënin nga një llogari. Do vendosim nga fondet tona që kemi të fushatës. Më mirë të bëjmë ca shtëpia për ata, se sa postera nga reklamat dhe pastaj edhe ca nga buxheti dhe do ta bëjmë, se ishin dëmtuar keq”, – tha Rama.

I pyetur për zonën nëse është zonë sizmike, Rama tha se, “ata nuk kishin në kujtesë ndonjë gjë të ngjashme më përpara, por ata ishin trembur shumë. Por fati i madh që s’kishte asnjë dëmtim apo plagosje, sepse kishte qenë mëngjes dhe kishin dalë jashtë. Tmerr i madh”. Ai tha se puna për ndërtimin e banesave duhet filluar brenda verës në mënyrë që banorët të mos kenë problem se aty është shumë lart dhe klima është e ftohtë”.

Sa i përket sigurimit të shtëpive nga tërmetet, Rama tha se “ashtu duhet bërë, por njerëzve iu duket sikur po i thua vër një taksë tjetër”.

Kryeministri përmendi rastet e Floridas ku, “shteti në rast përmbytjesh apo ciklonesh nuk jep dëmshpërblime për shtëpitë, sepse njerëzit janë të siguruar. Shteti paguan vetëm për infrastrukturën. Por këtu është ndërton diku në mes të rrugës të vjen uji përmbytesh dhe pastaj shteti, shteti. Kjo vjen nga ndërtimet pa kriter, pa karar në të kaluarën”.

I pyetur nga banorët nëse do të mbahen zgjedhjet në 30 qershor, Rama tha se, “pse më pyesni kot për 30 qershorin. Patjetër do bëjmë zgjedhje çfarë do bëjmë. Po ta marrësh nga ana rehatit, çfarë arsye do kemi t’i lëmë gjërat e tjera e të bëjmë fushatë. Ok, s’doni zgjedhje, kur të doni ju i bëjmë. Por po filloi kjo lojë s’mbaron më dhe e keni pastaj 10-20 vjet këtë muhabet. S’do zgjedhje ti, mirë hajde s’ka problem”.

Sa i takon gazetës BILD, Kryeministri u shpreh se po dëmtohet imazhi i vendit jashtë Shqipërisë.

“Jashtë Shqipërisë paguajnë hidh artikuj këtej, hidh artikuj andej. Ajo gazetë merret me gjera të tilla puna vetë. Shumë angazhim, energji për të baltosur. Tmerr i madh e bënë copë Shqipërinë. Asnjë nuk e bën. Të gjithë vendet kanë pasur beteja. Edhe vendet që kanë hyrë në BE. Edhe Bullgaria ishte në luftë politike. Por mori Presidencën e BE dhe bënë paqe palët politike. Asnjë shtet tjetër s’ka fatkeqësinë të ketë Saliun. Të gjithë që dolën nga ato histori ikën në punë të vetë. Vetëm ky ka ngelur dhe e ka me Shqipërinë s’ke çfarë i bën”, – tha Rama.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Rama tha se falë investimeve është rritur e gjithë vlera e pasurisë së gjithë secilit prej rregullimit të qytetit.

Kryeministri gjithashtu u shpreh se duhet bërë një tetarë kukullash më i madh për fëmijët, pasi sipas tij “se ai aktuali është plot dhe gjysma e njerëzve mbeten jashtë”./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.