Subashi: Të vendosur për të ecur në rrugën e zhvillimit

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, i cili rikandidon për një mandat të dytë në zgjedhjet e 30 qershorit, zhvilloi një takim elektoral me banorët e Mbrostarit, Petovës dhe Vajkanit.

“U ritakuam shpesh herë gjatë këtyre viteve kur vendosnim bashkarisht për investimet në zonë, por këtë herë për të treguar vendosmërinë që kemi drejt rrugës së zhvillimit të Mbrostarit, Fierit e gjithë Shqipërisë me Partinë Socialiste në krye”, tha Subashi.

Duke u ndalur te investimet në këtë zonë, ai tha se “sapo ka filluar puna për KUZ Mbrostar dhe do të vazhdojmë të mirëmbajmë sheshe dhe shtrojmë rrugë deri në rrugën e fundit të fshatrave”.

“Do të vazhdojmë me pastrimin e kanaleve kulluese e vaditëse në të gjitha fshatrat. Do të përmirësojmë furnizimin me ujë të pijshëm në çdo fshat e në çdo shtëpi. Po përgatiten projektet për furnizimin me ujë të pijshëm në Mbrostar. Kanë filluar punimet për Ujësjellësin Vajkan. Do të përmirësojmë infrastrukturën e institucioneve arsimore parashkollore e parauniversitare”, tha ai.

Po ashtu, Subashi tha se “do të vazhdojmë rehabilitimin e të gjitha Qendrave Shëndetësore”.

“Kemi nisur një punë shumë të mirë dhe nuk do e ndalim, deri në ndriçimin e plotë të çdo fshati dhe lagjeje të tij. Do të ndihmojmë për çertifikimin dhe regjistrimin e pallateve të ish-kooperativave bujqësore dhe fermës në Vajkan e Mbrostar, duke kontribuar në zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronësisë së banorëve”, tha ai.

Fokus kryesor, sipas tij, “do të ketë ndërtimi dhe hapja e rrugëve të parcelave për t’i ardhur në ndihmë fermerëve”.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.