Publikimi i përgjimeve për politikë e kundër Shqipërisë, ata i bashkon lufta kundër Reformës në Drejtësi

TIRANË, 7 qershor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kryeprokurorja e Krimeve të Rënda shpjegoi sot se prokurorët që kanë pasur çështjen e përgjimeve e kanë dorëzuar tek partia për t’u përdorur për politikë, për të shantazhuar këtë qeveri dhe këtë shumicë”.

Në fjalën e tij në çeljen e fushatës së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit në Urën Vajgurore, Kryeministri Rama mori shkas nga dalja e sotme publike e kryeprokurores së Krimeve të Rënda. “Po dëgjoja rrugës kur po vija këtu Kryeprokuroren e Krimeve të Rënda, me shumë vonesë për fat të keq, por ka shpjeguar ekzaktësisht arsyen se pse këto zbulime të mëdha  nuk janë asgjë tjetër përveçse një abuzim i madh me ligjin dhe nxjerrjen e sekretit hetimor për t’u përdorur për politikë dhe kundër Shqipërisë, ndërkohë që do përfundonte hetimi me kohë”.

“Dëgjojeni dhe lexojeni kush janë personat që kanë mbajtur në sirtare këto zbulime të mëdha dhe cilët patjetër, njëri ndër ata dy ndër ata apo të gjithë bashkë i kanë çuar tek partia për t’u përdorur për politikë për të shantazhuar këtë qeveri dhe këtë shumicë, sepse ata i bashkojnë shumë gjëra”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “ata i bashkon edhe diçka shumë e madhe lufta kundër reformës në drejtësi, prokurorë që tmerrohen nga Vetingu dhe politikanë që tmerrohen nga gjyqet që i presin, kur ata të cilët do të kalojnë Vetingun do t’i thërrasin përpara Drejtësisë, sepse nuk harrohen të gjitha ato që kanë ndodhur”.

“‘Drejtësia vonon, por nuk harron’ dhe drejtësia këtu tek ne ka vonuar shumë, njerëzit me plot të drejtë, ju me plot të drejtë jeni të paduruar dhe thoni ç’është kjo punë, pse nuk po bëhet. Por mos harroni ne nuk po bëjmë drejtësi popullore, ne nuk po bëjmë drejtësi partizançe, ne nuk po bëjmë drejtësi në emër të qeverisë”, – tha Rama.

Ne, vijoi Rama, po ndërtojmë një sistem drejtësie së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, ku prokurorët dhe gjykatësit do të jenë të çliruar plotësisht nga çdo lidhje me politikën dhe para të cilëve çdo politikan nga më i gjati, tek më i shkurtri, nga më i madhi, tek më i vogli do të trajtohet në mënyrë të barabartë njësoj si çdo qytetar nga qendra, deri në cepin më të humbur.

“Prandaj ata janë të tmerruar dhe do të bëjnë çmos për të na penguar dhe bllokuar, prandaj ata nuk përmbahen as edhe kur e bëjnë Shqipërinë copë-copë në gjuhë të huaj”, – tha Rama.

“Nëse fiton ajo rruga e tyre, Shqipëria futet në historinë e Europës si i pari e i fundit vend ku zgjedhjet kthehen në peng i një grushti politikanësh dhe provohet me pjesëmarrjen tonë, të kujtdo që shkon pas atyre teza shumë e vjetër e armiqve të Shqipërisë që shkruanin ‘Shqiptarët janë njerëz me bisht, nuk bëjnë dot shtet, se nuk respektojnë dot asnjë rregull që vënë vetë'”-, tha Rama.

Kryeministri tha se “këta kërkojnë të na imponojnë rregulla që ne nuk i kemi vënë së bashku dhe ndërkohë shkatërrojnë rregullat e vëna së bashku e të votuara nga populli në Kushtetutën e Shqipërisë dhe pastaj përmes përfaqësuesve të popullit në parlamentin e Shqipërisë. Ta harrojnë nuk ka për të ndodhur”. “Jam i bindur se çdo shqiptar i ndershëm sado që nuk do ta shikoj me sy Shqipërinë dhe mund të dojë që sot të mos më shikojë mua në asnjë ekran nuk do të shkojë pas berihajit dhe nuk do të bëhet palë me ata që nuk e kanë në fund fare me askënd tjetër, por e kanë me Shqipërinë. A e dinë, a s’e dinë, a e bëjnë verbërisht apo me vetëdije, as më intereson fare. Ata e kanë marrë përsipër të përfaqësojnë një pjesë të shqiptarëve dhe po e bëjnë në mënyrën më të ulët, të shëmtuar më të turpshme duke u bërë shembulli më i keq për fëmijët e të rinjtë e këtij vendi”, – tha Rama.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.