Meta: Shqiptarët presin që negociatat e pranimit me BE të hapen sa më shpejt

TIRANË, 7 qershor /ATSH/ – “Bashkatdhetarët dhe bashkatdhetaret e mia presin që negociatat e pranimit me Bashkimin Europian të hapen sa më shpejt, shpresoj këtë muaj, ashtu siç dua t’ju siguroj se ata mbeten po aq kërkues edhe ndaj qeverisë së tyre që ajo të përmbushë detyrimet e të kryejë punët që i takojnë”, deklaroi sot Presidenti Meta.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në Takimin e 24-të Ndërkombëtar të Berlinit, ku mbajti edhe një fjalë në Mëngjesin e Lutjeve me temë: “Kërkojeni paqen dhe mos iu ndani asaj”, të moderuar nga anëtarët e parlamentit gjerman (Bundestag-ut) Albert Weiler dhe Bernd Rützel, me pjesëmarrjen e zotit Joachim Herrman, Ministrit të Brendshëm të Landit të Bavarisë dhe shumë politikanëve, deputetëve dhe përfaqësuesve të fushave të ndryshme

“Ne, në Ballkanin Perëndimor e shikojmë NATO-n dhe Bashkimit Europian si garancitë më të mira për rendin paqësor, të qëndrueshëm dhe të begatë, në brendësinë e tyre si dhe në rajonin tonë. Shqiptarët luten që Maqedonia e Veriut fqinjë të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur dhe ajo e meriton plotësisht pas arritjes historike. Ne e kemi konsideruar gjithmonë kufirin e zgjeruar të NATO-s në rajon si një vlerë për të ndjekur paqen e bashkësisë sonë të popujve, të cilët për një kohë të gjatë e shikonin si të pamundur bashkëjetesën me njëri-tjetrin. Ne duhet të jemi fuqimisht të vendosur në mbrojtje të këtij partneriteti, në forcimin e aleancës transatlantike, në ruajtjen e vlerave thelbësore që lidhin e bëjnë bashkë veçanërisht, të rinjtë tanë”, tha Meta.

“Bashkëveprimi dhe bashkëpunimi i Shteteve të Bashkuara dhe BE-së ishin thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje tejkaluese ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut fqinje. Kam shpresë dhe lutem se e njëjta vendosmëri dhe koordinim do të mundësojnë edhe një marrëveshje përfundimtare që pritet me padurim midis Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Meta.

“Vendet e rajonit të Ballkanit janë të ankoruara në mënyrë të vendosur në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Mbështetja e fortë popullore për këto procese nuk buron nga iluzioni i ndryshimeve të kufijve, por nga kërkimi për standarde më të arrira mirëqeverisjeje, sundimin e ligjit, rritjen ekonomike dhe kohezionin social. Është përgjegjësia jonë si udhëheqës që të sigurojmë zbatimin e standardeve të tilla në vendet tona, duke mbetur të vërtetë dhe besnikë ndaj angazhimeve që kemi marrë përsipër përkundrejt popujve dhe partnerëve tanë”, tha Meta.

Meta nënvizoi se, “Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në aleancat globale kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Ne shqetësohemi për ndryshimin e klimës dhe kemi marrë zotime në kuadër të Marrëveshjes së Parisit. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë intensivisht me partnerët tanë, në kuadër të të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe rajonale për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut, për të administruar emigracionin si dhe për të përmirësuar arkitekturën e sigurisë në tërësi”.

“Vitin e ardhshëm, Shqipëria do të jetë Kryesuesja e Radhës e OSBE-së dhe do të bëjë çdo përpjekje për të pasqyruar imazhin më të mirë të vlerave të kësaj organizate, si dhe për të zbatuar përparësitë e përbashkëta të një hapësire edhe më të sigurt e më të begatë të OSBE-së. Lutem që t’ia dalim mbanë me sukses në këtë sipërmarrje sfiduese”, tha Meta.
Shqipëria, vijoi Meta, “krenohet me tolerancën dhe harmoninë e saj fetare. Bashkësitë e të gjitha feve, përgjatë gjithë historisë sonë, kanë qenë ngahera të bashkuara, të angazhuara e përkushtuara për të ruajtur paqen dhe harmoninë. Ky mision fisnik dhe hyjnor njëkohësisht, i bashkon mbarë njerëzit e vendit tim, pavarësisht nga besimi apo përkatësia fetare”.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.