Memaj: Në katër vite u zgjidhën një pjesë e rëndësishme e problemeve për banorët

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ – Kryetarja e bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj e cila do të rikandidojë për një mandat të dytë në këtë bashki, theksoi gjatë hapjes së fushatës zgjedhore se gjatë mandatit të parë katërvjeçar në këtë zonë u zgjidhën probleme të cilat kishin vite që nuk merrnin zgjidhje.

Në fjalën e saj, Memaj renditi edhe disa prej investime të realizuara nga ana e bashkisë, falë edhe financimeve të qeverisë shqiptare.

“Rikuperuam pjesë të rëndësishme të kohës së humbur 25-vjeçare. Sot kudo në territorin e bashkisë kemi shkolla, kopshte të denja për fëmijët tanë, kemi ambulanca dhe qendra shëndetësore. Sot nuk ndodh më që qyteti të përjetojë ritualin e përmbytjeve të çdo viti. Sot qyteti ynë merr frymë lirshëm, qyteti furnizohet me ujë të pijshëm, nuk ka as fermerë që humbasin mundin dhe djersën e një viti pune të stërmundimshëm. Ata kanë një sistem kullimi funksional me shumë sipërfaqe toke që vaditen. Fëmijët kanë më shumë hapësira rekreative, të rinjtë më shumë terrene sportive, njerëzit tanë me aftësi të kufizuara kanë gati një qendër për të ofruar shërbime të denja. Kemi zgjeruar rrjetin tonë të rrugëve rurale të asfaltuara, sikundër kemi dhe një system dixhital të integruar për ofrimin e shërbimeve që siguron transparencën si dhe askes të drejtpërdrejtë për mundësimin e shërbimeve të Bashkisë. Më në fund, mund të themi që kemi zgjidhur një pjesë të rëndësishme të problemeve tona bazike të kërkuara ndër vite. Këto nuk mund të realizoheshin pa kontributin, sakrificat mbështetjen, përfshirjen, ndërveprimin e secilit prej jush. Por në të njëjtën kohë të gjitha sa thamë do të ishin të pamundura në mungesë të reformave të ndërmarra nga Qeveria, si dhe pa mbështetjen e Kryeministrit në financimin e projekteve tona prioritare”, – theksoi Memaj.

Duke u ndalur te zgjedhjet e 30 qershorit, Memaj i ftoi të gjithë banorët që të bëjnë zgjedhjen e duhur për të zhvilluar edhe më tej zonën e Urës Vajgurore.

“Sfidat tona kërkojnë kontributin dhe mbështetjen e secilit prej nesh, në fund të fundit nuk ka rrugë ku kalojnë vetëm të djathë apo vetëm të majtë. Sfidat në hapësirën ku bashkëjetojmë janë pa ngjyrime politike. Përgjatë mandatit të parë dëshmuam se ndarjet ideologjike, antagonizimi dhe betejat politike nuk janë pasqyrë e asnjë qytetari të izoluar, as të përjashtuar, nuk ndodhi dje dhe nuk ndodh sot dhe as nesër. Dëshmuam gjithashtu se zgjidhjet e problemet u adresuan drejt interesit të përbashkët dhe pa cenuar të drejtat e individit, do të vazhdojmë me të njëjtin parim. Sigurisht që puna do të vijojë në të njëjtin drejtim dhe në të njëjtin ritëm për të zgjidhur problematikat që kemi që kemi evidentuar së bashku, e kemi lënë pas. Por tashmë ka ardhur koha për të hedhur hapa të guximshëm  për të kapërcyer nga etapa e normalizimit, drejt një bashkie të së ardhmes, drejt një epoke të re. Kjo nëpërmjet rehabilitimit dhe zhvillimit të hapësirave urbane, si dhe nxitjes së çdo nisjeje inovative, në fushën e teknologjisë që do të korrektonte deformime në tregun e prodhimeve buqësore. Nga njera anë rehabilitimi dhe zhvillimi në hapësirat urbane, me synim transformimin e qytetit tonë si portë hyrëse e Beratit, por në të njëjtën kohë edhe aplifikimi i identitetit të tij dhe përmirësimit të infrastrukturës, trasformimit që do të hapë horizonte dhe do të krijonte mundësi të reja. Në fund të fundit hapësirat urbane janë fytyra e vërtetë e komunitetit tonë. Ndërsa nga ana tjetër, ndërmarrja e nismave inovative, mbështetur në mundësitë që ofron teknologjia për t’ua hapur rrugën drejt tregjeve të reja produktive të zonës sonë, duke mundësuar aksesin e drejtpërdrejtë të fermerit në tregje, me qëllim transparencën e çmimeve dhe shmangien e abuzimeve, zgjerimin e tregjeve dhe formimin e zinxhirit ekonomik, do të bëjë të mundur shpërblimin e drejtë të mundit të fermerëve tanë. Jetojmë në kohën e revolucionit të 4-t industrial, në kohën e inteligjencies artificiale, kohën në të cilën ekonomia dixhitale është mjeti i rritjes së ardhshme ekonomike dhe në të njëjtën kohë arsye më shumë për të guxuar për hapjen e një epoke të re. Ju ftoj që në 30 qershor të marrim pjesë masivisht në votime. Nevojitet mbështetja e secilit prej jush. Votoni për bashkinë që duam, që të realizojmë bashkinë e gjeneratës së re”, – theksoi Memaj.

/m.z/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.