Kryemadhi: Beteja e protestuesve jo me policinë, por me Qeverinë

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një dalje për mediet ka lëshuar akuza në drejtim të Qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama.

Sipas Kryemadhit beteja e protestuesve nuk është me policinë dhe as me godinat, por me Qeverinë, duke shtuar se protesta e ditës së nesërme duhet të jetë paqësore.

“Protesta e nesërme nuk është as protestë e LSI-së, as e PD-së, por është një protestë e qytetarëve të Tiranës, por edhe e gjithë qytetarëve të Shqipërisë që janë të gatshëm për të ardhur dhe për të protestuar. Beteja jonë nesër nuk është as me uniformën e policisë, as me godinën e Kryeministrisë dhe as me godinat e shtetit shqiptar. Të mos harrojmë që ata që vuajnë njëlloj si ne dhe si gjithë shqiptarët janë motrat dhe vëllezërit tanë që kanë gardhin rrethues që duhet të mbrojnë një kryeministër të ikur. Të mos harrojmë që godina dhe dhuna që ushtrohet ndaj tyre përsëri paguhen me paratë e taksapaguesve tanë. Mos harrojmë që çdo dhunë nuk i jep vlerë protestës, por përkundrazi i jep rolin e viktimës Edi Ramës. Edi Rama nuk është viktima. Viktima janë shqiptarët”, – theksoi ajo.

Ajo u shpreh gjithashtu se Kryeministri Rama ka rritur koston e jetesës, por nuk ka rritur rrogat.

“Nuk ka kompromis me askënd i cili jo vetëm që premtoi 300 mijë vende të reja pune, por largoi 500 mijë shqiptarë nga Shqipëria. I cili rriti taksat, rriti çmimin e energjisë elektrike, rriti faturën e ujit, rriti koston e jetesës për shqiptarët, ndërsa rrogat përkundrazi i la aty ku ishin, duke zhvlerësuar lekun shqiptar dhe duke u krijuar shqiptarëve një pasiguri shoqërore, ekonomike dhe duke mos iu garantuar atyre të ardhmen e fëmijëve”, – tha Kryemadhi.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.