Klosi: 30 qershori do të dëshmojë se qarku i Beratit i takon kandidatëve të PS-së

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ – Gjatë çeljes së fushatës në Urën Vajgurore, ku u prezantua edhe kandidatja e Partisë Socialiste për këtë bashki, Juliana Memaj, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi theksoi se në zgjedhjet e 30 qershorit Partia Socialiste do të arrijë që të fitojë shumicën e bashkive në qarkun e Beratit.

Klosi theksoi se kandidatura e Juliana Memajt për bashkinë e Urës Vajgurore është ajo e duhura, pasi sipas tij do të sjellë për këtë zonë zhvillim dhe perspektivë të re.

“Juli vjen në këtë fushatë me një perspektivë të re, më një perspektivë që i jep zhvillim të gjithë Shqipërisë. Me një perspektivë që do të marrë Ura Vajgurore, si ura hyrëse e qarkut të Beratit, si qarku më turistik në vend. Qark i cili prodhon sot gjithçka. Prodhon agrume, prodhon kaq shumë sa i përket zonave rreth e qark qytetit. Natyrisht prodhon shumë prodhime në qytet. Kandidatura e Julit, e vajzës së qytetit do t’i shërbejë Urës Vajgurore, si një kandidaturë e cila do të prodhojë shumë më tepër shërbime ndaj qytetarëve. Do të ketë mundësi që të administrojë një pasuri të madhe për vendin tonë e cila do ta bëj Urën Vajgurore në një pikë interesante për politikat e fermerëve, si një nga zonat kryesore në vend. Por padyshim që Juli ka nevojë edhe për mbështetje e të gjithë juve. Këshilli i ri bashkiak së bashku me kryetaren e re të bashkisë në 30 qershor do të dëshmojnë se qarku i Beratit i takon kandidatëve të PS-së. Qarku i Beratit ka votuar dhe do të votojë programin e PS. Qarku i Beratit mbështet lidershipin e Partisë Socialiste, Kryeministrin dhe Kreun e PS, Edi Ramën”, – theksoi Klosi.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.