FOTO/Misioni ynë, ta bëjmë këtë vend me reforma të vështira e durim të madh

TIRANË, 7 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Misioni ynë është që të vazhdojmë të udhëheqim Shqipërinë, ndërsa ata morën në qafë një gjeneratë të tërë në këtë vend”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një takim elektoral me banorë të Urës Vajgurore, Rama tha se “gjithë gjeneratën që lindi në momentin kur ra komunizmi dhe u krijua PD, ata e morën në qafë me shkatërrimin e shkollave, të universiteteve, me dhjetëra-mijëra diploma pa asnjë vlerë, me mijëra pikat e kumarit etj.”.

“Ne jo vetëm do ta mbajmë në krahë, por do ta ngremë lart gjeneratën tjetër. Nuk është e mundur që të gjitha ato që na mungojnë t’i plotësojmë menjëherë, që gjithë ato plagë të thella t’i kurojmë menjëherë, por ne bëjmë sa mundemi, jo sa duam, dhe mundohemi ta bëjmë sa më mirë”, – tha Rama.

Kryeministri tha se “ne po e bëjmë këtë vend, duke bërë nga një hap të vogël ditë për ditë, me reforma të vështira e durim të madh”. “Nëse nuk e bëjmë ne, Shqipëria nuk bëhet për kushedi sesa vite të tjera”, – shtoi Rama.

Rama tha se “historia e Shqipërisë e gjithë këtyre viteve ia ka dhënë mësimin kujtdo që do të shikojë e të dëgjojë se, sa herë ata e kanë pasur në dorë drejtimin e vendit dhe të një qyteti, vetëm kanë prishur”.

“Ne vetëm jemi përpjekur të rregullojmë. Asnjëherë PS nuk ka ngritur piramida dhe nuk i ka zhytur njerëzit në gërmadha piramidash, nuk i ka zhytur shqiptarët në borxhe, apo nuk ka qenë shembulli i forcës. Ne nuk e kemi tradhtuar interesin kombëtar dhe nuk i kemi gjakosur duart me gjakderdhjet e viktimave të pafajshme”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.