30 qershori proces demokratik, opozita kryesore ka kapitulluar para zgjedhjeve

TIRANË, 7 qershor /ATSH/ Zgjedhjet pa opozitën kryesore do të ishin antidemokratike, nëse kjo e fundit do të pengohej të hynte në zgjedhje, por nëse opozita ka vendosur vetë të mos hyjë në zgjedhje, ka shpallur vetë kapitullimin para zgjedhjeve, ato nuk janë aspak antidemokratike. Kryeministri Edi Rama iu përgjigj nga hapja e fushatës së 30 qershorit në Urën Vajgurore atyre që, siç tha ai, thonë pa të keq, si mund të bëhen zgjedhjet pa opozitën kryesore.

“Imagjinoni se çfarë rrumpalle bëhet demokracia nëse zgjedhjet kthehen nga e drejta e popullit për të gjykuar politikanët e partitë, në të drejtën e politikës për t’u paraqitur para popullit kur ti teket. Imagjinoni se çfarë çorapi bëhet bashkëjetesa jonë demokratike nëse shkojmë me idenë se meqenëse opozita kryesore nuk është në zgjedhje, të shtyjmë zgjedhjet, duke i hapur rrugë politikës më të mbrapshtë e qorre të ikjes nga parlamenti dhe marrjes së molotovit, për të përmbysur me dhunë ata që populli i ka zgjedhur me votë”, – theksoi Rama.

“Imagjinoni se si do të dukej nesër ajo që sot mund të duket si moment çtensionimi, do e kishim si momentin e talljes më të madhe të politikës me njerëzit. Nuk do jemi më në demokraci, por në tiraninë e partive politike. Kjo nuk është askund dhe nuk ka për t’u parë as në Shqipëri”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.